
LEZHË-Arben Mhillaj, i vëllai i Florin Mëlliajt i shpallur në kërkim për ekzekutimin e çiftit të bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në prill të 2026, është arrestuar. 41-vjeçari i cili po udhëtonte me një automjet të blinuar dhe armë zjarri me vete, nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar. Efektivët e Policisë së Lezhës në bashkëpunim me forcat Shqiponja u vendosën në njekje të 41-vjeçarit, ndërsa u kap në fshatin Malecaj.
Brenda mjetit të blinduar policia gjeti një armë zjarri me fishek në fole, e cila është sekuestruar bashkë me makinën e blinduar. Po ashtu, Mhillaj gjatë ndjekjes nga Policia hodhi edhe një krehër me fishekë. Blutë raportojnë se Arben Mhillaj rezulton me precedent penal për kanosje.
Njoftimi i polcisë:
Lezhë/Finalizohet operacioni i koduar “Unaza”
Qarkullonte me automjet të blinduar dhe i armatosur, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej, kapet dhe arrestohet 41-vjeçari.
41-vjeçari me precedent penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, krehri i saj me disa fishekë, si dhe automjeti i blinduar.
Nga strukturat për hetimin e krimeve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara për një shtetas që qarkullonte i armatosur, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Unaza”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi:
-A. M., 41 vjeç, banues në fshatin Malecaj-Torovicë, Lezhë.
Ky shtetas u lokalizua në fshatin Torovicë, duke qarkulluar me një automjet të blinduar.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi.
Pas disa minutash ndjekjeje, në fshatin Malecaj, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 41-vjeçarit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti i blinduar, 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe krehri i saj me disa fishekë, të cilat drejtuesi i automjetit i hodhi në tokë gjatë ndjekjes nga Policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme