BERAT-Një drejtues automjeti është gjobitur me 60 mijë lekë nga Policia Rrugore në Berat, pasi u filmua duke lëvizur me makinë mbi trotuar. Policia njofton se qytetari ishte duke lëvizur me makinë mbi trotuar duke filmuar një video në TiKTok, duke rrezikuar kështu jetën e kalimtarëve. Veç gjobës drejtuesit të automjetit i është hequr edhe leja e qarkullimit.
Njoftimi i policisë:
Lëvizi me automjet, në trotuar, në qytet, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë dhe i tërhiqet leja e qarkullimit.
Pas publikimit në rrjetin social “TikTok”, të një videoje në të cilën shfaqej një automjet që lëvizte në trotuar, në një rrugë në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Berat kryen veprimet hetimore për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të veprimeve, u identifikua drejtuesi i automjetit, shtetasi I. L., i cili u shoqërua në Komisariat, ku u kryen veprimet e mëtejshme procedurale.
Në përfundim, shtetasi I. L. u ndëshkua me masë administrative 60 000 lekë, si dhe iu tërhoq leja e qarkullimit, pasi nga kontrolli i dokumentacionit të automjetit, rezultoi pa kontroll teknik dhe pa siguracion.