TIRANË- Protestuesit i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas thirrjes së tij për një bashkëbisedim publik, duke sugjeruar që grupi i pjesëmarrësve të mos jetë më i madh se 20 vetë. Nga protesta e tretë e cila po mbahet sot në Tiranë, qytetarët nuk e kanë pranuar thirrjen e Ramës, duke brohoritur: "Nga Rrjolli deri në Vlorë, sot shqiptarët po thonë boll", "Jep dorëheqje nuk ka dialog".
Sot qyetarët po mbajnë protestën e tretë radhazi kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Protesta po mbahet para Bulevardit Dëshmorët e Kombit teksa kanë shpalosur pankartën e madhe: "Jam bir shqipe more shkja, ti sha ne sdime me sha ta kemi thënë s’na e njef trunin n’kryeministri ta ngremë flamurin.”
Protestuesit kërkojnë:
Dorëheqjen e të gjithë qeverisë;
Shfuqizimin e statusit që lidhet me investimet strategjike;
Shfuqizimin e “Paketës së Maleve”;
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Protestuesit janë mbledhur para kryeministrisë, ku me daulle e thirrje 'Shqipëria nuk shitet' kanë ndezur tubimin. Ndërkohë janë shënuar edhe momente tensioni, ku një grup qytetarësh kanë çarë edhe kordonin e policisë duke iu afrua derës kryesore të Kryeministrisë.
Qytetarët kërkojnë ndalimin dhe anulimin e projektit në zonën e Zvërnecit, të cilin e konsiderojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një hapësirë të mbrojtur natyrore. Sipas tyre, projekti përfaqëson favorizim të interesave private në kurriz të pronës publike, ndërsa akuzojnë institucionet për mënyrën se si po menaxhohet toka shtetërore.
Protestat janë vijim i asaj që u zhvillua më 30 maj në zonën e Zvërnecit, ku roje private sigurie kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve, ndërsa një qytetar u tërhoq zvarrë./ZËRI
