Politikë

"Ju në kor me robt e shtëpisë, unë në krye të punëve të Shqipërisë!" Rama fton protestuesit: Mblidhuni 20 vetë dhe bujrum

Kreu i qeverisë iu drejtohet protestueve, duke theksuar se i vlerëson veçanërisht të rinjtë, duke shtuar se 'janë më të freskët sesa mbeturinat politike që i shkojnë poshtë Kryeministrisë'. 

zh.ll
"Ju në kor me robt e shtëpisë, unë në krye të
foto ilustrim: pamje nga protesta-edi rama

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestës në Tiranë, ku qytetarë dhe aktivistë shprehën pakënaqësi ndaj ndaj investimeve dhe zhvillimeve të fundit në zonën e Zvërnecit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar një video nga protesta, një episod kur protestuesit e shajnë “nga robt”.

Kreu i qeverisë iu drejtohet protestueve, duke theksuar se i vlerëson veçanërisht të rinjtë, duke shtuar se 'janë më të freskët sesa mbeturinat politike që i shkojnë poshtë Kryeministrisë'. 

Megjithatë, ai i ka kritikuar për mënyrën e shprehjes së pakënaqësisë dhe për mungesën e një vizioni të qartë për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e zonës. Në përfundim, Kryeministri i fton protestuesit për një bashkëbisedim publik, duke sugjeruar që grupi i pjesëmarrësve të mos jetë më i madh se 20 vetë.

Postimi i plotë i Ramës:

Çuna
Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua - ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës - dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.
Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.
Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?
Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.
Nëse doni, natyrisht.
Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:
ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Ky është reagimi i dytë i Ramës lidhur me episode të tilla nga protesta. Më herët gjatë ditës, Rama pati një reagim edhe gjatë konferencës për shtyp me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Kryeministri foli për investimin në Zvërnec, duke thënë se investimi nuk do të ndalet. Gjithashtu, ai u ndal te thirrjet në protestën e qytetarëve dhe iu përgjigj protestuesve: “Populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve. Na bashkojnë këngët apo nevoja për të thirrur në kor ‘Edi Rama tqr’...”, tha ai./ZËRI

Poll

MOS HUMB