TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur sot heqjen e sekuestrove për disa nga pasuritë e personave nën hetim të dosjes “AKSHI”. Në njoftimin zyrtar GJKKO ka kërkuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara që të heqin menjëherë bllokimin e 727 mln lekëve pasuri që prekin disa kompani, si dhe pasuri të llojit apartament.
Konkretisht rrëzohet sekuestroja e Prokurorisë së Posaçme mbi asetet e shoqërisë private të Gëzim Hoxhës në shumën 123.629.664 Lekë. Edhe shuma prej 100,840,264 lekësh në subjektin “FASTECH shpk”, e biznesmenit Elison Jorgji, ëhstë nxjerrë nga sekuestroja. Po ashtu lirohen nga bllokimi shumat e dy subjekteve të ndryshme të Andis Papës, në vlerat 410.595.663 Lekë dhe 94.423.883 Lekë.
Ndërkohë, Apeli i GJKKO ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë duke urdhëruar lirimin dhe heqjen e sekuestros për pasurinë e llojit apartament të ndodhur në një objekt disakatësh në Tiranë, në pronësi të biznesmenit në kërkim Ergys Agasi.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 02.06.2026, disponoi për çështjen penale nr. 20 akti, datë 19.05.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesve A.P, M.K, E.B, A.K, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”, Shoqëria “***”: “Ankim kundër vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, vendosi:
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. G.H.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 123.629.664 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. A.P.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 410.595.663 Lekë dhe kërkimit të sekuestrimit të aseteve të subjektit *** sh.p.k. në shumën 94.423.883 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin pjesërisht të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon personit nën hetim Z. E.J.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon kërkimit të sekuestrimit të aseteve të shoqërisë *** sh.p.k. në shumën 100.840.264 Lekë, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimin e Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar sa i takon disponimit mbi vendosjen e sekuestros preventive mbi pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***” në emër dhe për llogari të Z. E.A.
Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përsa i takon sekuestrimit preventiv të pasurinë me nr. ***, e llojit “apartament” dhe me nr. ***, e ndodhur në Zonën Kadastrale nr. ***, në Vol. ***, faqe ***, ndodhur në objektin *** kate, Lagja ***, ***, në kryqëzimin e rrugës “***” me “***” dhe “***”, duke urdhëruar heqjen e sekuestros së ekzekutuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe kthimin e pasurisë tek subjekti apelues *** sh.p.k.
Miratimin e pjesës tjetër të disponimeve të Vendimit nr. 289, datë 20.04.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër vendimit mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Më 21 prill SPAK njoftoi për sekuestrimin e të paktën 52 pasuri me vlerë të përbashkët 40 milionë euro, që i përkasin personave nën hetim në dosjen e "AKSHI-it". Mes pasurive të sekuestruara përfshihen apartamente, truall, pyje, ndërtesa, vila, automjete luksoze, një jaht, si dhe llogari bankare dhe aksione në disa subjekte tregtare.
