Aktualitet

Marrëveshja me Italinë/ Gjykata në Romë vendos nesër për emigrantët e strehuar në Gjadër

Nesër, 6 gjyqtarë të seksionit të emigracionit do të mblidhen për të vendosur nëse emigrantët do të mbahen në Shqipëri, apo do të rikthehen në Itali, ashtu siç ndodhi në rastin e parë.

k.m.
Marrëveshja me Italinë/ Gjykata në Romë vendos nesër
Foto ilustruese

ROMË- Gjykata në Romë do të vendosë nesër nëse sjellja e 8 emigrantëve në Gjadër ishte e ligjshme apo jo. Sipas mediave italiane, të premtën në Shqipëri pritej edhe një person i nëntë, por për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore u la që të qëndronte. Për të tjerët, institucionet italiane janë në pritje të vendimit të gjykatësve romanë.

Nesër, 6 gjyqtarë të seksionit të emigracionit do të mblidhen për të vendosur nëse emigrantët do të mbahen në Shqipëri, apo do të rikthehen në Itali, ashtu siç ndodhi në rastin e parë. Kësaj here, emigrantët janë 3 nga Egjipti dhe 5 nga Bangladeshi. Ndërkohë që ende janë në pritje, ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi vijon të mbrojë operacionin dhe njofton se për çdo vendim kundër do të ketë apelim.

"Ne jemi të bindur se gjithçka është në përputhje me ligjin evropian. Ka gjyqtarë që po vendosin në një mënyrë të caktuar, ne nuk pajtohemi me këto vendime dhe i kemi kundërshtuar,"-tha ai në një prononcim për mediat italiane. Por fjalën e fundit e ka drejtësia!

Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI

Poll

MOS HUMB