
TIRANË- Një sasi tritoli shpërtheu për herë të dytë në vetëm pak muaj në derën e banesës së Ardian Fierzës në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër. Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit dhe fatmirësisht, nga ngjarja pati vetëm dëme materiale. Kjo është hera e dytë që ndaj Ardian Fierzës i vendoset tritol. Herën e parë, atij i vendosën tritol në derën e agjencisë funerale që ndodhet pranë Spitalit të Shkodrës. Ngjarja ndodhi më 29 gusht dhe deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar. Dyshimet asokohe ishin se ngjarja ndodhi për shkaqe konkurrence, por mbetet ende një ngjarje e pazbuluar.
Shpërthimi i sotëm i regjistruar në derën e banesës së 52-vjeçarit, e ka çuar në 23 numrin e sulmeve me tritol për këtë vit. Sipas statistikave që ka mbledhur "Klan", për vendosjen e tritolit, qarku më problematik është Shkodra. Për harkun kohor të një viti, në këtë zonë janë organizuar plot 12 sulme me lëndë plasëse, fatmirësisht pa viktima në njerëz. Objektiv i këtyre sulmeve, përveç personazheve me precedentë penale, kanë qenë edhe punononjës policie apo edhe gjyqtarë. Tonin Sterkaj, i cili u kërcënua duke i vendosur tritol portës e shtëpisë në lagjen "Tom Kola' në Shkodër në orët e para të mëngjesit të 28 prilli, u mor në mbrojtje. Ndërsa shkaku se përse u kërcënua, ende nuk është zbuluar. Qarku i dytë në rang kombëtar është Tirana. Në kryeqytet përgjatë këtij viti janë regjistruar 5 shpërthime me eksploziv. Në të pesta rastet nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por fatkeqësisht ky nuk është rasti në qarqet e tjera të vendit.
Rastet për çdo qark
Shkodër 12 raste
Tiranë 5 raste
Elbasan 2 raste
Dibër 1 rast
Durrës 2 raste
Lushnjë 1 rast
Sarandë 1 rast
Nëse në Shkodër dhe në Tiranë, ku gjithsej ka pasur 17 raste tentative vrasje nuk ka pasur persona të lënduar, në Elbasan janë shënuar 2 viktima, ndërsa një tjetër ka humbur jetën në Sarandë. Në Elbasan, në orët e para të mëngjesit të 14 korrikut, Enea Thomaraj po shkonte në tualet pa e ditur që po shkonte drejt vdekjes! Në të njëjtin kat, në banesën përballë hyrjes së tij, një person, ende i paidentifikuar i kishte vendosur tritol motrave Giovanna dhe Alda Nikolli. Pas ngjarjes, ato hodhën akuza në drejtim të Nuredin Dumanit. Nikolli akuzoi Dumanin se kishte dhunuar në 3 raste të dashurin e saj në qeli, Amarildo Xhanej. Edhe pse aspak shënjestër e tritolit, Thomaraj ndërroi jetë 3 muaj më vonë në spitalin e Traumës për shkak të plagëve që kishte marrë. Të riut i ra dera e banesës në kokë, dëmtim që i kushtoi jetën.
Viktima e dytë në Elbasan ishte Kristi Balukja! Mbrëmjen e 29 Tetorit, 25-vjeçari humbi jetën teksa po tentonte të vendosë një sasi eksplozivi në një makinë lënda i shpërtheu në dorë para kohe. Ai kishte shkuar rreth orës 04.10 të mëngjesiti në lagjen ‘Shënkoll’ dhe po i vinte lëndën plasëse mjetit në pronësi të Renato Çepës. Për shkak të shpërthimit që ndodhi në rrethana ende të papërcaktuara nga grupi hetimor, 25-vjeçari ndërroi jetë në vend. Shënjestra Renato Çepa njihet në Elbasan dhe si "Kel Llumi" dhe pjesë e grupit të Emiljano Ramazanit, i ekzekutuar disa vite më parë. Se kush ishte porositësi i vendosjes së lëndës plasëse ende nuk është zbuluar.
Gjatë verës, më 24 qershor, ndërroi jetë në mes të detit Armandi Nelaj. 52-vjeçari ndërroi jetë pas një shpërthimi që fillimisht nuk dihej përse kishte ndodhur. Prokuroria e Sarandës zbuloi më vonë se Nelaj, i pajisur me të gjitha mjetet që përdor një zhytës po shkonte që të vendoste tritol në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, "Finikas Lines". Para se ta vendoste, në telefonin që aktivizonte lëndën plasëse i erdhi një mesazh: Mirë se erdhët në Greqi, pasi valët e telefonit u njohën nga linja greke. Ai mesazh i mori jetën në det dhe ishin disa turistë që qarkullonin në zonë me varkë, ata që e nxorrën në breg të detit. Pa shenja jete dhe të coptuar nga shpërthimi!
-
-
Armandi Nelaj vdiq duke i vënë tritolin konkurrentit
29 Korrik, 20:09
Në pranga përfundoi shoku i ngushtë i Nelajt, Erdion Muho, pronar i një agjensie turistike në Sarandë që operonte edhe në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve të linjës Sarandë- Korfuz. Ky i fundit kishte porositur viktimën që të vendosë lëndën plasëse në mjetin lundrues, ndërsa shkak ishte konkurrenca për linjën e Korfuzit.
Kështu, në të gjithë vendin janë shënuar 3 raste fatale, ndërkohë që Policia ka mundur të zbardhë vetëm 2 prej autorëve të vendosjes së lëndëve plasëse. Porositësit, përveç rastit të Muhos, janë ende shumë larg nga zbulimi dhe prangosja./ZËRI