Aktualitet

'SkyECC'/ Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajri takoheshin tek varrezat, ish-deputeti e ndihmoi kur i arrestuan kunatin: Ols do kostume!

Frekuentimi i zonës së varrezave ishte bërë disa herë, pasi zona mund t'u jetë dukur si vendi perfekt për të mos ngjallur kureshtjen as të banorëve të zonës, por as për të mos i rënë në sy Policisë se Shtetit.

k.m.
'SkyECC'/ Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajri takoheshin tek
Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja

DURRËS- Jurgis Çyrbja duhet të zgjidhte një vend të fshehtë për t'u takuar me personazhët e botës së krimit që informonte për lëvizjet e Policisë së Shtetit. E nga përgjimet duket se zgjedhjen e kishte bërë...zyrtari i Partisë Socialiste në Durrës, tashmë ish-deputet, Jurgis Çyrbja takohej me të shpallurin në kërkim, Altin Hajrin tek varrezat e zonës...

“Takohemi ke varrezat, ke mimi…,”-ky ishte një nga mesazhet më të shpeshtë që i dërgonin njëri-tjetrit në aplikacionin "SkyECC". Më shumë detaje nga dosja që tashmë është nën hetim nga SPAK ka zbuluar gazetari i "OraNews", Elton Qyno. Sipas tij, frekuentimi i zonës së varrezave ishte bërë disa herë, pasi zona mund t'u jetë dukur si vendi perfekt për të mos ngjallur kureshtjen as të banorëve të zonës, por as për të mos i rënë në sy Policisë se Shtetit.

Në një nga bisedat, Altin Hajri shqetësohej për arrestimin e kunatit të tij në Tiranë, Julian Gjoshit. Ky i fundit ishte kapur me armë pa leje dhe ishte vendosur në prangat e Policisë së Shtetit. E gjithë biseda mes tyre zhvillohet në periudhën kohore, 17-29 dhjetor 2020. Por përveç këtij rasti, në këto biseda Altin Hajri i kërkon Çyrbjas që të ushtrojë ndikim tek drejtuesi i Komisariatit të Policisë Shijak, duke i premtuar edhe shuma monetare edhe për ndërtim pa leje. E gjitha sepse djali i xhaxhait të Altin Hajrit donte që të bënte një shtesë në pronën e tij, por nuk donte probleme me Policinë, pasi edhe ndërtimi pa leje është vepër penale.

Altin Hajri i shkruan Çyrbes duke i thënë se:

"…Mëngjesi vëlla, Daci jam... Zemra nigjo pak, don me be një shtëpi Shaba im Shijak… e nimojm dot japim naj kafe atij shefit që të filloj punë me shpiat…".

"…Ajde aty ke lagjia, ku kena taku. Ke lagja jam, ajde takojm ke varrezat.... Ke mimi…".

Ndërkohë në vijim të bisedave të zhvilluara në “Sky” mes datave 19 janar 2021 deri në 26 janar 2021, flasin për arrestimin e kunatit të Hajrit, Julian Gjoshi. Ky i fundit rezulton të jetë dënuar në 23 dhjetor 2021 nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit dhe municionit” dhe “Drejtimin e mjetit në gjendje të dehur”. Edhe në këtë rast, Hajri ofronte para që pistoleta që kishte kunati i tij me vete të konsiderohej "e paaftë" për qitje. Çelësi për ndryshimin e akuzës ishte testi balistik që do të bënte Policia e Shtetit. 

"…se kan kap kunotin tim me pistoletë... Mos bëjmë naj gjë. ËshtË kunati me gjith atë bolin që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)...se arma qeka veç për gishtat...se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…”.

Pak ditë më pas, rreth datës 28 janar 2021, Altin Hajri interesohet për problemet që ka ai vetë me ligjin. E gjitha prej informacioneve  që kishte marrë se mund të arrestohej nga policia e Tiranës.

"…që ti thotë drejtorit Tiranë, shif të foli pak e shok se kam informacion për atë drejtoria Tiranë që dun me kap…"- shkruan Hajri.

Më pas, bisedat mes tyre vazhdojnë. Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes që të falenderojë personat që e ndihmuan për mbylljen e "problemit" të kunatit të tij.

"…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam “ok” vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy kustume…".

Problemet për Hajrin vijojnë. Më shkurt i arrestojnë një nga personat e tij më të afërt, sërish me thika. Problemin edhe kësaj here e "qau" me mikun e tij politikan. 

…shif aman bëj ndonjë telefonatë, kanë ndaluar mbrëmë një kasap viçesh, po ka pas thikat në makinë budallai dhe e kanë mbajtur mbrëmë në DR…”-i shkruan Altin Hajri, Çyrbes.

Me urdhër të SPAK është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit, ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili dorëzoi mandatin disa ditë para se t'i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB