TIRANË-Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po kryen verifikime edhe për projektin “Durana Tech Park” të Korporatës Shqiptare të Investimeve, në vijim të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t. Verifikimet po fokusohen në disa kompani të regjistruara në DURANA, për të cilat ka dyshime se lidhen me personazhe të përfshirë në skandalin e AKSHI-t, mes tyre emra të njohur të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe të tenderëve publikë.
Sipas burimeve për Skyweb, nuk bëhet fjalë për një hetim të përgjithshëm ndaj të gjitha subjekteve të regjistruara në park, por për kompani specifike që dyshohet se kanë lidhje direkte ose indirekte me aktorët e dosjes AKSHI. Hetimet kanë treguar se këto kompani përfitonin njëkohësisht fonde publike dhe, sipas dyshimeve, shmangnin detyrimet fiskale, tashmë nëpërmjet projektit DURANA.
Në këtë kontekst, DURANA po shihet si një element shtesë i së njëjtës skemë, ku përfitimi nuk kufizohej vetëm te tenderët, por shtrihej edhe te përjashtimet nga taksat, duke i shkaktuar dëm të dyfishtë buxhetit të shtetit. SPAK po verifikon nëse projekti DURANA është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash në funksion të të njëjtëve aktorë të përfshirë në dosjen AKSHI, duke e shtrirë hetimin përtej një institucioni të vetëm dhe drejt një skeme më të gjerë financiare.
'Durana Tech Park' është një park teknologjik dhe shkencor, i krijuar në bazë të ligjit për parqet teknologjike, i administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe i shpallur zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë së informacionit. Statusi i parkut u garanton subjekteve të regjistruara përjashtime dhe lehtësira të gjera fiskale, përfshirë ulje ose përjashtim nga tatim-fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, sipas parashikimeve ligjore.
Hetimet e SPAK dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Operacioni konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SPAK në sektorin e prokurimeve publike dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hetimet pritet të thellohen edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë zyrtarë dhe përfaqësues biznesesh./ZËRI