DURRËS-Ish-vjerra dhe ish-nusja janë përballur 'live' pas rastit të rëndë nga Durrësi, ku 3 të mitur u gjetën të braktisur në rrethana të vështira në banesë. Blerina Basha akuzohet se ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur, duke i lënë vetëm në një banesë me kushte të rënda hidro-sanitare.
Ish-vjehrra dhe gjyshja e tre fëmijëve është shprehur ndaj ish-nuses, duke thënë se “ajo nuk mund të thotë se nuk ka mundësi ekonomike, kur ajo ka para për të bredhur”.
“Kam folur me mamin tënd live dhe kam thënë që nuk mund t’i lëmë fëmijët në atë gjendje. Ka thënë që burri nuk më sjell lekë. Kërkoje ndihmë sociale. Po për të bredhur për të bërë qerpikët, për të bërë vetullat, për të bërë thonjtë, flokët a kishe lekë ti. More në qafë tri fëmijë, po më plas shpirti. 10 muaj jetonin fëmijët me mua në Itali. Në muajin e 5 ajo ka ikur dhe është larguar 5 muaj dhe s’ka ardhur. Ndoshta në Dubai nuk ka qenë, por në Kosovë ka qenë. Nëse fëmijët janë në atë gjendje, që bën thonjtë, e flokët, dhe qerpikët, e për të ngritur vetullat, mos kërko ndihmë nga shteti. E di kur kërkoj unë ndihmë, kur jam sëmurë. Ndihmë i kanë dhënë të gjithë. Por siç është në pamjet e jashtme, ashtu duhet të jetë dhe në shtëpi. Zgjeben s’ia solla unë nga Italia me valixhe asaj”, ka thënë ish-vjehrra në emisionin “Me zemër të hapur” në News24.
Nga ana tjetër nëna e 3 fëmijëve i ka hedhur poshtë deklaratat e ish-vjerrës dhe shprehet se është kujdesur për fëmijët dhe se nuk i ka braktisur kurrë. Sa i përket disa fotove që kanë qarkulluar në media pas bërjes publike të rastit, e reja Blerina Basha i ka mohuar se janë bërë në Dubai, por sipas saj, janë montuar. Ajo tha se të gjithë po lëshojnë lumë urrejtjesh ndaj saj.
“Janë foto të montuara. Janë të bëra nga aplikacionet, mund të montohen. Ka pasur mosmarrëveshjet, debatet. Fëmijët e mi nuk janë ushqyer kurrë me urrejtje ndaj babait dhe gjyshes së tyre. Këta persona po japin kaq urrejtje ndaj meje. Fëmijët e mi kanë ndenjur 2-3 muaj në Itali, pasi unë nuk mund të shkoja për shkak të dokumenteve, dhe dëgjoja, se e kam me video, ku fëmijët më shanin dhe flisnin me fjalë të ndyra. Të ndikuar nga ish-burri im.”, tha Blerina Basha.