LEZHË-Detaje të reja janë zbardhur nga sherri i dhunshëm në një lokal në Lezhë, ku 5 persona të maskuar kanë qëlluar dhe dhunuar Nikolin Markun dhe kushëriri i tij. I lënduari, Marku akuzon vëllanë e ish-deputetit të PS-së, Arben Ndoka, Gëzim Ndokën se ky i fundit ka urdhëruar dhunimin e tij.
Sipas Markut, mes 5 persona të maskuar, njëri prej tyre është paraqitur si nipi i ish-deputetit, djali i Gëzimit, ndërsa më pas kanë nisur ta dhunojnë. Pre e dhunës ka rënë dhe kushëriri i tij. Po ashtu, Marku pohoi se gjatë kohës që shkoi sot në spital për mjekim, kishte shkuar Gëzim Ndoka dhe e kishte kërcënuar.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në një lokal në Lezhë, ku raportohet se kanë hyrë 5 persona të maskuar. Nikolin Marku ka mbetur i plagosur, ndërsa shprehet se konflikti mund të ketë rrjedhur si pasojë i një divorci të kryer kohë më parë mes tij dhe ish-bashkëshortes.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e motiveve të konfliktit./ZËRI
