TIRANË- Seanca e radhës për ish-kryeministrin Sali Berisha në kuadër të dosjes "Partizani" është mbajtur sot në GJKKO, ku avokati i kryedemokratit ka kërkuar të thirret si dëshmitar kryeministri Edi Rama. Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, ka kërkuar që të dëshmojë Rama, me pretendimin se ishte ai personi që përpiloi bazën ligjore për ta kthyer nga klub sportiv në shesh ndërtimi. Gjatë seancës, Gjokutaj ka kërkuar gjithashtu edhe thirrjen e oficerit të BKH-së, Besmir Karanxha, duke e quajtur aktivist të PS-së që paguhet për të hetuar kryedemokratin.
“Kërkojmë të thirren si dëshmitar shtetasit e kërkuar nga prokuroria. Gjithashtu të thirren Edi Rama, atë kohë kryetar bashkie, që SPAK se ka thirrur, që ka përpiluar bazën ligjore ta kthej nga klub sportiv në shesh ndërtimi. Pa vendimin e tij ne s’do ishim sot këtu. Kërkojmë të dëshmojë Besmir Karanxha aktivist i PS në zgjedhje që paguhet për të hetuar kryetarin e opozitës Oficeri i policisë gjyqësore një aktivist politik”, tha Gjokutaj në sallë.
Ndërkohë, avokatja tjetër e ish-kryeministrit, Klodiana Gjyzari, hodhi dyshime mbi bazën e akuzës dhe mënyrën e hetimit. Avokatja ngriti pretendimin se hetimi penal ndaj Berishës është i nxitur politikisht dhe përbën përndjekje politike dhe jo ndjekje penale. Sipas saj, kallëzimi është bërë nga Taulant Balla dhe procedimi penal është regjistruar brenda ditës. Ajo theksoi se pas marrjes së pushtetit nga shumica parlamentare janë urdhëruar kontrolle, por aktet e tyre nuk janë depozituar dhe nuk gjenden as në arkiva, as si fotokopje për vitin 2014.
Klodiana Gjyzari, avokate e Sali Berishës: Baza ligjore mbi të cilën është ngritur akuza, në vlerësimin tonë nuk qëndron .Të na thuhet cili veprim konkret i zotit Berishës ka shkelje, organi i akuzës nuk ka dhënë asnjë sqarim. Mungon vepra penale. Është detyrë e prokurorisë të paraqes prova. Nuk e ka përmbushur detyrimin e saj objektive dhe subjektive për të paraqitur se cilat janë shkeljet.
"Nga sa e ka ngritur akuzën prokuroria së pari ka gjetur fajtorin, më pas faktin penal. Por ndërkohë procedura ligjore parashikon që fakti të çon tek autori. Si u ushtrua ky pushtet që kishte Berisha? Veprimet që ka kryer për t’iu përgjigjur kërkesave të Bektashit, ose detyrave që sipas prokurorisë Bektashi i paska caktuar Berishës.
Prokuroria në përpilimin e akuzës fillimisht ka gjetur autorin. Më pas veprën penale. I vetmi argument i prokurorisë është fuqia që ka z. Berisha nga ushtrimi i detyrës si Kryeministër për të kryer veprën penale të korrupsionit, por jo mënyrën sesi. Prokuroria ka dështuar të provojë sesi z. Berisha përfitoi nga Fatmir Bektashi. Z. Berisha sipas prokurorisë do e merrte përfitimin (mitën) pasi la postin e kryeministrit në 2013, konkretisht në 2015. Pra, z. Berisha ka qenë edhe parashikues në marrëveshjen e pretenduar me Bektashin.
Prokuroria është munduar ta gjejë aktin e shpronësisë, por një i tillë nuk ekziston. Ekziston akti i shpronësimit të padrejtë nga shteti komunist dhe që shteti shqiptar ka vonuar për t’ua rikthyer pronat familjes Begeja që i ka ato të ligjshme. Sipas kësaj logjike të prokurorisë, i bie që në çdo situatë z. Malltezi do gjendej sërish i hetuar për pronat e tij, sepse herët a vonë atij do t’i ktheheshin pronat.
Shtyerje nga politika për të nisur këtë hetim penal, përndjekje politike dhe jo ndjekje penale. Kallëzimi u bë nga Taulant Balla dhe regjistrimi i procedimit prenda ditës. Sapo shumica parlamentare ka marrë pushtetin, ka urdhëruar kontrolle, aktet e këtyre kontrolleve nuk janë depozituar. Janë regjistruar nga ministria e mbrojtjes dhe i çon në shtëpi, më pas i depoziton si kallëzim penal. Nuk gjenden aktet e 2014 as si fotokopje në arkiva. Nuk paraqiti kallëzim shumica parlamentare në 2014. Ngrihet task forcë nga Rama të realizonte një komision të ndaluar nga kushtetuesja dhe gjednj, që të rishikoheshin kalimet e pronave te pronarët. Asnjë rezultat nuk u gjet apo të paraqitej. Berisha hetohej në masë shtrënguese me prentedimin se mund të ndikonte tek provat, ndërsa episodet i takojnë 15 vite më parë dhe “provat” ndodheshin në arkivat e institucioneve që drejtohen sot nga pala paditëse.", mësohet se ka thënë avokatja.
Dosja "Partizani"
Të pandehur në lidhje me çështjen janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën "detyrim paraqitje", 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI