TIRANË-Pas dorëheqjes së drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, burime për ZËRI konfirmojnë se edhe sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Agaçi largohet nga posti i sekretarit të përgjithshëm pasi ka shërbyer aty prej gati 13 vjetësh, që nga ardhja e Edi Ramës në krye të qeverisë. Ai mban funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të Republikës së Shqipërisë nga data 15 shtator 2013. Në vend të tij raportohet se në postin e sekretares së Përgjithshme të Kryeministrisë është emëruar Elsonida Rama. Kjo e fundit më herët ka punuar në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Kujtojmë se Engjëll Agaçi është thirrur edhe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Asakohe ai ka qëndruar në SPAK për rreth tre orë ndërsa pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ka deklaruar se ishte thirrur atje për inceneratorin e Tiranës.
Ndërkohë, ndryshime janë bërë edhe në drejtimin e kabinetit të Kryeministrit. Vilma Guri është emëruar shefe e kabinetit, duke zëvendësuar Vali Bizhga në këtë detyrë./ZËRI