TIRANË-Prokuroria e Posçme (SPAK) u ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dy prej të pandehurve të procedimit penal lidhur me laboratorin e drogës në Frakull. Identiteti i të pandehurve ende nuk bëhet i ditur, ndërsa raportohet se njëri prej tyre është shtetas i huaj dhe tjetri shqiptar.
Bashkëpunëtorët e drejtësisë raportohet të kenë dhënë emra dhe episode të reja si të përfshirë në aktivitetin kriminal. Numri i personave të identifikuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 15.
Droga u zbulua në nëntor të vitit 2022 në banesën e ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku e cila ishte kthyer në një laborator kokaine. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri.
Përpos të arrestuarve, në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri (Frakull) për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu./ZËRI

