TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e të njëjtit grup kriminal që trafikuan nga Kolumbia 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik. Në pranga kanë rënë Klevent Gjolena, Musa Gjikola dhe Aldi Zonja, ndërsa shtetasit Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi, janë shpallur në kerkim.
Numri i personave të identifikuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 15. Gjithashtu mësohet se janë kryer kontrolle edhe në disa banesa, automjete ndaj personave të përfshirë në këtë ngjarje. Gjatë operacionit janë sekuestruar katër automjete dhe dy telefona.
Droga u zbulua në nëntor të vitit 2022 në banesën e ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku e cila ishte kthyer në një laborator kokaine. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Përpos të arrestuarve, në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri (Frakull) për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka zhvilluar veprime të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit penal nr/141/1.1 i vitit 2026 (pa autor) që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.
Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.
Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.
Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.
Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:
1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi dhe Kolumbisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme", thuhet në njoftim./ZËRI