VLORË-Artjol Xhelo, ish-efektiv i Forcave Operacionale “Shqiponjat” u gjet i djegur sot në automjetin e tij tip 'BMW' në “Qafën e Llogarasë”. Në vitin 2023, Xhelo kishte shfaqur probleme të shumta të depresionit dhe për këtë arsye DVP Berat e largoi nga Forcat Shqiponja dhe e transferoi në Postën e Policisë në Poliçan.
Xhelos i humbi arma e shërbimit dhe DVP Berat i dha një masë disiplinore dhe e përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve të brendshme në DVP Berat, ish/efektivi i policisë Artjol Xhelo kishte probleme të theksuara të depresionit. Edhe familjarët e tij deklarojnë se, 32-vjeçari vuante nga depresioni dhe para se të largohej nga banesa u kishte deklaruar: “Nëse nuk gjej punë, nuk kthehem më sot në shtëpi”.
Ngjarja e rëndë u raportua mesditën e sotme, ku dyshohet se 32-vjeçari mund ti ketë dhënë fund jetës, duke u djegur në makinën e tij në zonën e Qafës së Llogarasë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa priten edhe konkluzionet zyrtare nga ekspertiza./ZËRI