
DURRËS- Altin Hajri është shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me urdhër të SPAK mbrëmjen e djeshme u arrestua ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet për lidhje me grupet kriminale. Nga informacionet e para të aksionit të nisur nga SPAK u zbulua se në pranga u vendos socialisti dhe kunati i tij, Ahmet Masha, ndërsa në kërkim ishte një person tjetër.
Sot u zbulua se bëhet fjalë për Altin Hajrin, pronari i kompleksit Gloden në Shijak, i cili prej katër vitesh rezulton në kërkim si organizatori i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës në janar 2020.
Mesazhet në aplikacionin "SkyECC" kanë zbuluar se gjatë aksionit të Policisë së Shtetit për kapjen e tij, personazhi i njohur i botës së krimit ishte fshehur në banesën e asokohe deputetit të Partisë Socialiste në Shijak. Kështu i kishte shpëtuar arrestimit nga Policia e Shtetit. Lidhur me pengmarrjen dhe vrasjen e Prengës, Altin Hajri u shpall fajtor nga Gjykata e Durrësit dhe u dënua në mungesë me 7 vite heqje lirie për vrasje me dashje mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, edhe pse Prokuroria kishte kërkuar 15 vite burg.
Por vendimi nuk u ekzekutua kurrë për shkak se Apeli i Durrësit e shpalli të pafajshëm Altin Hajrin, duke arsyetuar se vendimi i shkallës së parë nuk ishte i bazuar në prova. Edhe pse në fakt ka pamje filmike që tregojnë se i ndjeri Jani Prenga futet zvarrë në kompleksin "Golden" dhe nxirret nga atje pa ndjenja. Edhe sot e kësaj dite, kufoma e tij ende nuk është gjetur.
Por kjo nuk është ngjarja e parë kriminale për të cilën përmendet Hajri!
Hajri ka qenë dënuar me gjoba nga Gjykata e Durrësit dhe për “kundërshtim të punonjësit të policisë”, “fyerje për shkak të detyrës” dhe “prishje të rendit publik”, vepra këto të klasifikuara si kundërvajtje penale. Në vitin 2015, në muajin tetor, Policia e Shtetit nisi një operacion “Enigma”, në bashkëpunim me drejtësinë italianë për të shkatërruar grupin Hajri. Në pranga ranë 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroine, ndërkohë që në kërkim u shpallën dy vëllezërit Hajri, Emiljano dhe Altin, njëkohësisht të cilësuar si kokat e grupit. Në pranga ranë djali i xhaxhait të Altin Hajrit, Hajri Balla, 53 vjeç dhe një kushëri tjetër i tij, Fortuz Hajri 24 vjeç, të dy banues në Shijak. Ata u akuzuan për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.
Vetëm tetë muaj më pas, autoritetet italiane zhdukën emrin e Altin Hjarit nga personat më të kërkuar dhe pushuan hetimet ndaj tij. Ndërsa Emiljano u shpall në kërkim nga Interpoli. Dyshja akuzoheshin si të përfshirë në trafikun e drogës nga Afganistani në Itali. Vetë, Altin Hajri nga Shijaku është cilësuar nga Guardia di Financa e Venecias si një nga kapot e organizatës kriminale që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë.
Në atë kohë u aludua edhe për dekonspirim të operacionit “Enigma”, që shpëtoi dy ‘kokat’ Hajri, ndërsa komunikimi mes tyre ka qenë gjithmonë një ngërç për drejtësinë. Kjo bandë kishte një kod të veçantë komunikimi, falë të cilit arritën të fusnin një sasi mjaft të madhe heroine në Itali, duke nxjerrë jashtë loje policinë italiane. Ata përdornin një kod alfanumerik për të komunikuar, sikurse vepronte ushtria naziste, e cila komunikonte me kode numerike dhe më pas këto numra i përkthente në fjalë. Kjo skemë komunikimi ka futur disa herë në “kurth” edhe agjentët italianë, të cilët për vite me radhë nuk arrinin të kuptonin se për çfarë flitej në bisedat e përgjuara, pasi nuk deshifronin dot kodet.
Në Shqipëri, me nisjen e operacionit "KÇK", Hajri u bë i pari subjekt i OFL (Operacioni Forca e Ligjit). OFL vendosi sekuestro ndaj resortit pas dyshimeve se aty u mbajt peng dhe ekzekutua Jani Prenga, por sërish Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pushoi çështjen. Prona që u sekuestrua që në datën 3 shkurt të vitit 2020, u "lirua" dhe kaloi sërish në emër të Altin Hajrit.
Si ndodhi pengmarrja dhe vrasja e Jani Prengës?
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi (aktualisht i arrestuar në Turqi), Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar./ZËRI