
TIRANË- Ahmet Masha, 42 vjeç, banues në Durrës, djali i pronarit të anijes së peshkimit “Rovato”, është personi që është vënë në pranga këtë mbrëmje bashkë me ish-deputetin Jurgis Çyrbja. Ai njihet edhe si "Meçe". Masha rezulton se është arrestuar edhe më herët dhe është akuzuar për kontrabandë nafte. Më konkretisht, 42-vjeçari u vu në pranga në vitin 2013, gjatë operacionit “Dallga” bashkë me disa persona të tjerë.
Në pranga ranë, Emiljano Kuçi, Irgen Balla, Altin Imeraj, Ardian Cani, Eugen Hysa dhe Arbër Çerkini.
Emri i Ahmet Mashës lidhet edhe me Ylli Didanin, banori i Miçiganit, që në pamje të parë të jepte përshtypjen se ishte një biznesmen i suksesshëm me aksione në kompani në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri dhe Kosovë, por që sipas agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, Didani bënte një jetë të dyfishtë. Ai kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pastronte të ardhurat e paligjshme të drogës.
BIRN shkruante në vitin 2021 se në vitin 2017 Didani nënshkroi një deklaratë noteriale se ai do të blinte një anije peshkimi me vlerë 500,000 dollarë nga Ahmet Masha.
Dy javë më vonë, më 21 shtator 2017, Prokuroria e Tiranës lëshoi një urdhër sekuestrimi për llogaritë bankare të Didanit.
I kontaktuar nga BIRN, Masha mohoi të ishte përfshirë në ndonjë transaksion me Didanin, duke thënë se ai e kishte takuar atë shkurtimisht.
“E takova vetëm për dy orë në plazhin e ‘Il Gambero'”, tha ai, duke iu referuar një restoranti me çadra dhe shezlone në Gjirin e Lalzit në bregdetin shqiptar të Adriatikut.