Aktualitet

Ku ndodhet Ergys Agasi? Avokati Haxhia: Është jashtë vendit për të lidhur marrëveshje biznesi, Gerond Meçen se njeh fare

Sa i takon filmimeve të kryera në zyrën e Agasit, avokati Haxhia tha se kamerat ishin vendosur për arsye sigurie, pasi biznesi i klientit të tij kishte rënë pre e grabitjes kohë më parë

E.K
Ku ndodhet Ergys Agasi? Avokati Haxhia: Është jashtë vendit
maks haxhia

TIRANË- Avokati mbrojtës i Ergys Agasit, Maks Haxhia ka shkuar sot në Prokurorinë e Posaçme, për t’u njohur me dosjen dhe aktet në ngarkim të klientit të tij. Haxhia tha se Agasi nuk është arratisur në Dubai siç raportohet në media, por ndodhet jashtë vendit, për të lidhur një marrëveshje në fushën e biznesit.

Sipas Haxhisë, Agasi nuk ka pasur asnjë përfitim nga tenderat, dhe personin që akuzohet se ka urdhëruar të rrëmbehej, Gerond Meçen, nuk e njeh fare. Avokati hodhi dyshime dhe për vetë Prokurorinë e Posaçme, që sipas tij po përpiqet të ndikojë politikisht me publikimin e përgjimeve të kësaj dosjeje.

Maks Haxhia: Klienti im ushtron një veprimtari biznesi, me aq sa e njoh unë nuk ka ndonjë vepër penale që të akuzohesh për miqësirë. Zoti Agasi nuk ka asnjë objekt veprimtarie për tenderat. Zoti Agasi nuk ka përfituar asnjë tender, nga financat publike, nuk ka asnjë veprimtari të kundraligjshme. Filmimet janë instrument sigurie, pasi shumë kohë më parë kanë tentuar që ti vjedhin biznesit. Jep fluksin e lëvizjes së njerëzve, jo audio.

Klienti im nuk është larguar, po lidh një marrëveshje biznesi jashtë vendit, kur të kthehet do të përballet me drejtësinë. Është e çuditshme, që publikimi i këtyre të dhënave kompromentohet nga zhvillimet politike. Një njeri me nivel mesatar, e kupton kompromentimin e SPAK, në këtë çështje. Kur nuk është politikan, çfarë lidhje ka ai me emërimet dhe me shkarkimet. Këto që thoni ju i thotë SPAK, Zoti Agasi nuk e njeh fare personin për të cilin pretendohet se është marrë peng.

Ergys Agasi, është shpallur në kërkim nga SPAK për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Ai akuzohet si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI, duke përfituar miliona euro, përmes faturave fiktive dhe ndikimit në procedurat e tenderave. /ZËRI

Poll

MOS HUMB