Aktualitet

Kredi me interes zero për disa kategori sociale, ja kush përfiton

Pjesa tjetër do të subvenciohet nga buxheti i shtetit, përmes Entit Kombëtar të Banesave (EKB). Kredia me interes të subvencionuar ofrohet për kategori të caktuara familjesh.

k.m.
Kredi me interes zero për disa kategori sociale, ja kush përfiton
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton institucionet përgjegjëse dhe procedurat që duhet të ndjekin disa kategori të veçanta për të përfituar kredi me interes 0. Pjesa tjetër do të subvenciohet nga buxheti i shtetit, përmes Entit Kombëtar të Banesave (EKB). Kredia me interes të subvencionuar ofrohet për kategori të caktuara familjesh, konkretisht: Familjet që jetojnë me qira në ish-pronë private; Familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë; Fëmijët në përkujdesje të shtetit (jetimët). Për të aplikuar këto janë dokumentet që iu duhen: 

Familjet qiramarrëse në ish-pronë private, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, ngarkojnë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Autorizimin ose dokumentin e lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes, nëse disponon;
b) Certifikatën apo vërtetimin e pronësisë në favor të pronarit ose vendimin e gjykatës, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë;
c) Vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi;
ç) Vërtetimin nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh;
d) Certifikatën e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992.

Kërkesat shqyrtohen nga një komision ad hoc pranë EKB-së, i ngritur brenda 5 ditëve nga paraqitja e aplikimeve. Komisioni ka 10 ditë kohë për të shqyrtuar çdo rast dhe në rast se kërkesa e aplikuesit refuzohet, brenda 5 ditëve mund të bëhet edhe ankimimi.

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE PËRGJEGJËSE, TË PROCEDURAVE TË MIRATIMIT DHE TË DOKUMENTACIONIT QË DUHET TË PLOTËSOJNË FAMILJET QË PËRFITOJNË KREDI ME INTERES TË BARABARTË ME 0%, TË SUBVENCIONUAR NGA BUXHETI I SHTETIT, NËPËRMJET ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 47/1, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e institucioneve përgjegjëse, të procedurave të miratimit dhe të dokumentacionit që duhet të plotësojnë:

a) familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, sipas aktit normativ nr.3, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, të miratuar me ligjin nr.82/2012;
b) familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë;
c) fëmijët në përkujdesje të Republikës.

2. Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet e parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, për banesa me kosto të ulët, është me 0 (zero) % interes.

3. Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari/kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.

3/1. Familjet qiramarrëse në ish-pronë private, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, ngarkojnë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Autorizimin ose dokumentin e lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes, nëse disponon;
b) Certifikatën apo vërtetimin e pronësisë në favor të pronarit ose vendimin e gjykatës, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë;
c) Vërtetimin negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi;
ç) Vërtetimin nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh;
d) Certifikatën e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992.

3/2. Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

3/3. Për fëmijët në përkujdesje të Republikës, përveç dokumentacionit të parashikuar në pikën 3, të këtij vendimi, kërkuesit ngarkojnë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Certifikatën personale të fëmijës me fotografi të tre muajve të fundit ose fotokopje të dokumentit të identifikimit;
b) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të familjarit, kujdestarit ose përfaqësuesit ligjor të fëmijës;
c) Prokurën e posaçme, në rastin kur kërkuesi është i ndryshëm nga përfaqësuesi ligjor i fëmijës.

4. Individët/familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0 (zero) % qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.

5. Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 (zero) %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 (dhjetë) ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

6. Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen:
a) e strehimit;
b) familjare;
c) sociale.

7. Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.

8. Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0 interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.

9. Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen:
a) se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar;
b) falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme;
c) mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese.

10. Shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 18, pika 26/1, shkronjat “a”, “b”, dhe “c”, të pikës 28/1, dhe shkronja “a”, e pikës 36, të vendimit nr.453, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet”, të ndryshuar, shfuqizohet.

11. Ngarkohen Enti Kombëtar i Banesave, ministria përgjegjëse për strehimin, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme dhe institucionet financiare me të cilat janë nënshkruar marrëveshje për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Poll

MOS HUMB