RROGOZHINË- Një vrasje me thikë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Rrogozhinë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 21:50 në lagjen “Mollaj”, ku Meklan Meçe, rreth 25 vjeç, dhe Rrapush Memolla, rreth 60 vjeç, janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta. Gjatë konfliktit, dyshohet se janë përdorur mjete prerëse.
Si pasojë e plagëve të marra, 60-vjeçari ka ndërruar jetë, ndërsa 25-vjeçari është dëmtuar lehtë në dorë. Meçe është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Prokuroria e Durrësit po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 25-vjeçarit, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti të çastit ku u përdorën mjete prerëse, plagosi një 60-vjeçar, i cili më pas humbi jetën.
Rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”, Rrogozhinë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta mes shtetasve M. M., rreth 25 vjeç, dhe Rr. M., rreth 60 vjeç, fqinjë me njëri-tjetrin, ku u përdorën mjete prerëse, shtetasi Rr. M. u plagos rëndë dhe më pas humbi jetën, ndërsa shtetasi M. M. u dëmtua lehtë në dorë.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shkuan në vendngjarje dhe, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, identifikuan, kapën dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin M. M.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.