Aktualitet

I dënuar për atentatin ndaj Sokol Sanxhaktarit! Kapet "Vis Korçari", përplasi makina e policisë gjatë tentativës së arratisjes

Autoritetet raportojnë se 34-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.

F.I
I dënuar për atentatin ndaj Sokol Sanxhaktarit! Kapet "Vis
Elvis Koçi

KSAMIL-Elvis Koçi alias Elvis Çaushllari, i njohur si “Vis Korçari” është ndaluar mbrëmjen e djeshme në Ksamil pas një aksioni të përbashkët të forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë. Raportohet se ndalimi i 34-vjeçarit nga Elbasani është bërë rreth orës 22:30, ku u organizua operacioni për kapjen e tij. 

Sapo ka pikasur forcat e policisë, Çaushllari ka tentuar të largohet, ndërsa menjëherë ka nisur ndjekja dhe nga Saranda janë nisur dhe forca të FNSH. Gjatë largimit ai ka përplasur dy automjete civile të policisë dhe ka mundur të çajë rrethimin fillestar. Pas 30 minutash, Çaushllari është pikasur nga agjentë të krimeve të Sarandës pranë një biznesi privat në aksin Ksamil – Butrint. Atij i është sekuestruar edhe automjeti, i cili rezulton në emër të të vëllait. Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë, i përfolur për përfshirje në përplasjet e grupeve kriminale në Elbasan.

Policia njofton se Koçi ishte shpallur në kërkim, pasi GJKKO e ka dënuar me 4 vite burg për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, në periudhën 25-30.07.2020, në qytetin e Elbasanit, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Autoritetet raportojnë se 34-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar "Fast" për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fast", u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip "Audi", kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.

Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB