
TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të tjera nga dosja e SPAK që çuan në arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbjas dy ditë më parë. Në fjalën e saj, gjatë emisionit "Të paekspozuarit", gazetarja Klodiana Lala tha se Çyrbja nuk kishte ndihmuar vetëm Altin Hajrin për t'i shpëtuar operacioneve që organizonte Policia e Shtetit për arrestimin e tij. Por ka përmendur edhe emra të tjerë, po në zonën e Durrësit. Ajo shtoi se ish-deputeti ka ndihmuar me informacione edhe Kreshnik Budlla Farrukun.
"Aktivitetin e ka patur në Spanjë, është goditur pak kohë më parë. Kreshnik Budlla Farruku është larguar nga shtëpia dhe ka harruar celularin hapur. Jurgys Çyrbja rezulton se i çonte të dhëna kunatit të Farrukut dhe ai ia përcillte këtij të fundit,"-theksoi Lala.
PJESË NGA FJALA E KLODIANA LALËS:
Zoti Çyrbja nuk është arrestuar për shpërdorim detyre për pronat në Durrrës, por një çështje që ka të bëjë me të dhënat e ardhura nga autoritetet franceze. Dyshimet e SPAK janë që Çyrbja të jetë përfshirë në komunikime në SKY ECC, ku Prokuroria e Posaçme na flet për korrupsion në zgjedhje. Janë 4 personazhe, Altin Hajri, në kërkim për zhdukjen e Jan Prengës, i cili komunikon me Ahmet Mashën, Edmond Kocin dhe të tjerë, ndërmarrin një operacion që Çyrbja të mos lihej i pesti apo gjashti në Durrës por të shkonte i treti në listë. Fakti tregoi se Dako e propozoi emrin e Çyrbes i treti në listë dhe u miratua nga Edi Rama. Çyrbja dyshohet se ka marrë të dhëna nga zyrtarë të lartë, policia, drejtësia, që kishte të bënte për persona në kërkim dhe i favorizonte, në këmbim të votave, pra Altin Hajri. Ka edhe një rast për një grup shumë të rrezikshëm në zonën e Durrësit, që ka të bëjë me Kreshnik Budlla Farruku. Aktivitetin e ka patur në Spanjë, është goditur pak kohë më parë. Kreshnik Budlla Farruku është larguar nga shtëpia dhe ka harruar celularin hapur. Jurgys Çyrbja rezulton se i çonte të dhëna kunatit të Farrukut dhe ai ia përcillte këtij të fundit. Ka biseda ku thuhet pse të jetë Ndraxhi, që edhe ai del të dosja 339, që caktohej nga Avdylajt. Kanë përplasje brenda grupit. Nuk është peshku i madh Çyrbja, por kush e furnizonte Çyrbjen me informacion?
Kreshnik Budlla, u arrestua për herë të parë në Spanjë më 12 maj 2019, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit. Budlla, ka përdorur sipas medieve spanjolle 10 emra. Ai u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje. Farruku akuzohet në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje. Në momentin që i janë afruar agjentët ai është përpjekur që të shmanget duke u prezantuar me një tjetër emër, por tentativa ka dështuar. Po sipas medieve ai akuzohet se drejtonte një organizatë kriminale ku në përbërje të saj ishin edhe shqiptarë të tjerë ndërsa vidhnin banesa dhe trafikonin kokainë. Ai u hetua edhe për një vrasje në Spanjë. Në vitin 2012, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuri të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të Kreshnik Bodlla (Farruku). Sipas Prokurorisë këto pasuri dyshohej se ishin krijuar nga aktivitetet e paligjshme të tij dhe përdoreshin nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai të cilit iu bë një atentat në 2014 në Manëz), banues në Shijak të Durrësit. Nga hetimet rezultoi se Reshit dhe Roland Farruku kishin blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kishin një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë që u sekuestruan./ZËRI