
TIRANË- Një dite pas arrestimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Drejtori i Përgjithshë i Policisë së Shtetit është takuar me Kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Bëhet me dije se në këtë takim ata kanë diskutuar për bashkëpunimin e SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit në luftën kundër korrupsionit.
"Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda zhvilloi një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Ilir Proda dhe Altin Dumani kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një stad tjetër bashkëpunimi dhe besueshmërie mes palëve.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, dhe me policitë partnere, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", njofton Policia.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI