
TIRANË- SPAK kontrolloi dje 21 vila në zonën e Manzës në Durrës, por nuk e gjeti dot Kreshnik Budllan (Farrukun). Për të, edhe për disa persona të tjerë, Prokuroria italiane kishte firmosur një fletë-arresti për trafik të narkotikëve, pastrim parash dhe mashtrim në shuma të mëdha. Nga 12 urdhër-arreste vetëm 2 prej tyre u ekzekutuan, pasi në pranga përfunduan vetëm Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri. Të dy këta do të paraqiten sot para Gjykatës së Durrësit për t'u njohur me masën e sigurisë "arrest në burg", e cila u është caktuar nga drejtësia italiane.
Ndërkaq, ka gjasa që Farruku pasi ka mësuar lajmin e "goditjes" së grupit në Itali, të jetë larguar nga vendi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, grupi kriminal i drejtuar nga Kreshnik Farruku Budlla pastronte para përmes një rrjeti kompanish të drejtuara nga një organizatë italo-kineze. Nga hetuesit italiane, raportohet se kjo kompani kishte lëshuar fatura false për një shumë rreth 375 milionë Euro.
Kreshnik Budlla, u arrestua për herë të parë në Spanjë më 12 maj 2019, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit. Budlla, ka përdorur sipas medieve spanjolle 10 emra. Ai u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje. Farruku akuzohet në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje. Në momentin që i janë afruar agjentët ai është përpjekur që të shmanget duke u prezantuar me një tjetër emër, por tentativa ka dështuar. Po sipas medieve ai akuzohet se drejtonte një organizatë kriminale ku në përbërje të saj ishin edhe shqiptarë të tjerë ndërsa vidhnin banesa dhe trafikonin kokainë. Ai u hetua edhe për një vrasje në Spanjë. Në vitin 2012, Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuri të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të Kreshnik Bodlla (Farruku). Sipas Prokurorisë këto pasuri dyshohej se ishin krijuar nga aktivitetet e paligjshme të tij dhe përdoreshin nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai të cilit iu bë një atentat në 2014 në Manëz), banues në Shijak të Durrësit. Nga hetimet rezultoi se Reshit dhe Roland Farruku kishin blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kishin një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë që u sekuestruan./ZËRI