
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Fatmir Pjetrit, i cili kërkoi të dilte nga regjimi “41 biss”. Në seancën e sotme, trupa gjykuese e ka parë si të nevojshëm izolimin në regjimin e posaçëm të ish-anëtarit të një nga grupeve më të njohura në vend. Për më tepër, Pjetri ka tentuar edhe arratisjen përmes çarçafit në burgun 313 në Tiranë. Pjetri, së bashku me Arbër Çekajn shfrytëzuan momentin e e ajrosjes por nuk ia dolën që të arratiseshin.
VENDIMI I GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të K.Pr.Penale dhe nenin 17 të Ligjit nr. 81/2020, datë 25.06.2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 234, datë 06.11.2024, vendosi: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Fatmir Pjetri. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.
Kush është Fatmir Pjetri?
Fatmir Pjetri nga Puka rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas ardhjes në Shqipëri ai në vitin 2013 u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”. Ai ka marrë pjesë në të gjitha grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”,që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër. Në “Bandën e babagjyshërve” morën pjesë Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Julian Qerushi, Dritan Kola, Saimir Kala, Hajdar Sefa, Mark Shpendi, Edmond Selala, Lin Kala dhe Angjelin Ndreka.
Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari. Pas kësaj ngjarje ai u arrestua në 24 nëntor të 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe në një kohë prej 3 minutash. /ZËRI