
ITALI- Ministria e Brendshme italiane tha se anija e Marinës, "Libra" është nisur nga Lampedusa në drejtim të Shqipërisë me 8 emigrantë të paligjshëm në bord. Këta të fundit do të transportohen në qendrat italiane të emigrantëve në Shqipëri në Shëngjin. "Libra" është nisur sot nga brigjet italiane dhe pritet që në Shëngjin të zbarkojë nesër. Më pas, emigrantët do të ankorohen në kampin e Gjadrit, atje ku edhe do të presin vlerësimin e kërkesave të tyre për azil.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që edhe në këtë rast, siç ka ndodhur më parë, ndalimi i emigrantëve të mos pranohet nga gjyqësori italian nëse personat në bord konsiderohen se vijnë nga vende jo të sigurta.
Anija ka një kapacitet prej rreth 200 personash, por gjetja e njerëzve të përshtatshëm për transferim (të cilët sipas ligjit duhet të jenë burra, të rritur, vetëm, të konsideruar jo të cenueshëm dhe të ardhur nga " vendet e sigurta ") është shumë e vështirë. "La Repubblica" shkruan se për në Shqipëri duhet të ishte dërguar edhe një person i nëntë, që u zgjodh fillimisht, por më pas u la në Lampeduza pasi konsiderohej shumë i moshuar dhe "i brishtë".
Komisioni i kryesuar nga prefektura e Romës do të shqyrtojë kërkesat për azil, ndërsa intervistat do të zhvillohen me video lidhje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Vendet që konsiderohen të sigurta janë këto: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnje-Hercegovina, Kameruni, Kepi Verde, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Nigeria, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Tunizia.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI