
TIRANË- Më 31 janar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që të shpallë vendimin për Sokol Idrizajn, shoferin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Gjatë seancës së sotme, pala e akuzuar, në këtë rast Idrizaj dhe familjarët e tij janë ankuar për kushtet e arrestimit të tyre. Në fjalën e tij, sipas gazetares Anila Hoxha, Idrizaj u tregoi trupës gjykuese kushtet e tij ekonomike. Madje shtoi se çështja e tij ishte pompuar në media vetëm për shkak të postit që ai ka pasur krah Veliut.
“Edhe në komunizëm nuk futej në burg një familje e tërë, mediat kanë abuzuar me rastin tim, më kanë baltosur mua dhe familjen. Rrobat e ardhura nga Franca nga vajza ime është konfirmuar nga vetë shteti francez që nuk kanë të vjedhura. Edhe në kohën e Enverit, prokurori nuk dilte dot mbi gjyqtarin, unë jetoj në shtëpi me çati me llamarina, ndërkohë që akuzohemi për fshehje të ardhurash me vlera miliona lekë,”-tha Idrizaj.
Pretendime për padrejtësi kishte edhe e shoqja e tij.
“U bëra gjyshe në burg, ne jemi familje e rregullt, vajza sillte rroba për t’i shitur online me qëllim për disa të ardhura më shumë, na është shkatërruar jeta nga kjo histori, ç’lidhje kemi ne me grup të strukturuar kriminal?,”-u shpreh ajo në sallë.
Edhe vajzat e çiftit janë shprehur se u është shkatërruar jeta nga akuzat që ka ngritur Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për to dhe prindërit e tyre.
Egi Idrizaj: Ta dija që për një faqe online shitje do përfundoja këtu nuk do merresha, unë kam djalin 1 vjeç ndërsa Prokuroria kërkon 10 vite burg...
Bora Idrizaj: Nga kjo histori kam ngelur pa punë, na është shkaktuar traumë, jam vetëm 22 vjeç
Të pandehur në këtë dosje janë tetë persona dhe në një seancë të mëparshme SPAK shpalli pretencën. Prokuroria e Posaçme kërkon 12 vite burg që me uljen e dënimit shkon në 8 vite, për Agustin Mesulin, Altin Dodën, Sokol Idrizajn dhe Elda Idrizajn. Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj, dhe dy vajzat e tyre u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal. Në kuadër të këtij procedimi në total u arrestuan 12 persona. Këta persona dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashari që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724.386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga./ZËRI