
TIRANË- Është shtyrë seanca ndaj Sokol Idrizajt, ish-shoferit të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Seanca do të zhvillohet më datën 18 dhjetor ora 14:00. SPAK shpalli pretencën më 5 nëntor për grupin kriminal që fuste kontrabandë mallra luksoze nga Franca drejt Shqipërisë.
Të pandehur në këtë dosje janë tetë persona dhe në një seancë të mëparshme SPAK shpalli pretencën. Prokuroria e Posaçme kërkon 12 vite burg që me uljen e dënimit shkon në 8 vite, për Agustin Mesulin, Altin Dodën, Sokol Idrizajn dhe Elda Idrizajn.
Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij Elda Idrizaj, dhe dy vajzat e tyre u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal. Në kuadër të këtij procedimi në total u arrestuan 12 persona. Këta persona dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashari që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724.386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga./ZËRI