TIRANË- iUTE Credit është sërish në qendër të një skandali, këtë herë lidhur me një rast të dyshuar të marrjes së një kredie në emër të një gruaje, pa dijeninë dhe autorizimin e saj.
Sipas një denoncimi në JOQ, pretedohet se një gruaja i janë përdorët të dhënat e dokumetit të identitetit për një kredi në iUTE, me vlerë rreth 4 milionë lekëve të vjetra, pa dijeninë e saj.
Në denoncim përmenden edhe emrat e drejtuesit të iUTE Credit, Akan Ajdini, administratorit të kompanisë përmbarimore Anis Hoxha dhe pronarit Dritan Abazi, lidhur me procedurat e ndjekura pas krijimit të detyrimit.
Çfarë thotë denoncimi? Sipas asaj që raporton JOQ, familjarët kanë denoncuar rastin me pretendimin se të dhënat e dokumentit janë përdorur më pas për të marrë një kredi pranë iUTE Credit, në vlerën e rreth 4 milionë lekëve të vjetra. Gruaja mohon të ketë aplikuar, firmosur dokumente apo marrë paratë e kredisë.
Sipas rrëfimit të denoncuesit, persona të panjohur janë paraqitur pranë familjes sikur gjoja vinin nga Kryqi i Kuq për të ofruar ndihma humanitare. Ata u kanë kërkuar dokumentet e identifikimit për t’i regjistruar dhe fotografuar, duke i përdorur më pas këto të dhëna të marra për të aplikuar dhe marrë kredinë pranë iUTE Credit.
Por misteri i kësaj historie nuk ndalet vetëm te mënyra se si sigurohet një kartë identiteti, sepse këtu ngrihet një tjetër pikëpyetje e madhe për sistemin e sigurisë së institucionit financiar. Si mundet që një foto e thjeshtë apo një dokument i fotografuar nga persona të panjohur të kthehet menjëherë në kontratë të vlefshme kredie pranë iUTE Credit, pa kaluar asnjë filtër të mirëfilltë verifikimi fizik apo identifikimi biometrik?
Por, ky rast ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Familjes i ka mbërritur në shtëpi një shkresë zyrtare nga kompania përmbarimore D&A Fin Partner, ku kërkohet me ultimatum shlyerja e detyrimit të fryrë ndaj iUTE Credit Albania. Në këtë letër përmbarimore figuron një shifër e majme prej 477,512 lekësh dhe kërkohet pagesa brenda një afati prej 10 ditësh, me paralajmërimin e prerë se, përndryshe, do të nisë menjëherë sekuestrimi i pasurive.
Nga ana tjetër, nëna e denoncuesit mohon të ketë aplikuar, firmosur dokumente apo marrë paratë e kredisë. Gruaja në fjalë thotë se nuk ka shprehur kurrë pëlqim për një kredi të tillë.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është kryer identifikimi dhe verifikimi përpara miratimit të kredisë. Pretendimet e familjes pritet të verifikohen nga autoritetet, ndërsa mbetet për t’u parë edhe qëndrimi i iUTE Credit lidhur me rastin.
Denoncuesi tregon se ka depozituar një kallëzim zyrtar në polici dhe se disponon pamje filmike nga kamerat e sigurisë, ku duken qartë automjeti dhe fytyrat e personave që kanë ardhur për të grabitur dokumentet në prag të shtëpisë, ndërsa tani kërkon zbardhjen e plotë të kësaj afere dhe fshirjen e menjëhershme të një detyrimi që ka marrë jetë pas shpine të së moshuarës.
Në fund, pyetjet që kërkojnë përgjigje janë konkrete: Kush aplikoi për kredinë? Kush verifikoi identitetin e kredimarrëses? Çfarë dokumentesh u përdorën për miratimin e saj? Ku përfunduan paratë dhe si është e mundur që një person që pretendon se nuk ka marrë kurrë kredi të përballet tashmë me një detyrim prej 477,512 lekësh dhe kërcënimin për sekuestrim pasurie?
Kohët e fundit, iUTE Credit ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes. Vetëm pak ditë më parë, kompania u përball me akuza lidhur me rritjen e kostove të kredive përmes komisioneve dhe interesave të larta.