KRUJË- Qemal Berhami, 74-vjeçari i arrestuar pak ditë më parë si autor i dyshuar i zjarrit që përfshiu Krujën pasditen e 8 gushtit, është lënë i lirë me urdhër të Prokurorisë.
Prokuroria e ka cilësuar të paligjshëm ndalimin e 74-vjeçarit, pasi, sipas saj, nuk ka prova që e implikojnë atë në shkaktimin e zjarrit. Berhami rezulton gjithashtu të ketë bashkëpunuar me autoritetet gjatë hetimeve.
Në dëshminë e tij, 74-vjeçari ka mohuar kategorikisht të ketë shkaktuar zjarrin. Ai ka deklaruar se në momentin kur ka parë flakët, ka marrë një zorrë uji dhe është përpjekur t’i shuante, por zjarri është përhapur me shpejtësi.
Berhami ka thënë se nuk mund të japë një shpjegim se si ka nisur zjarri, megjithëse ka ngritur dyshime hapjen e rubinetit të ujit në momentin kur ka rënë zjarri.
“Kam qenë poshtë shtëpisë time dhe kur kam dalë, unë kam parë një vatër zjarri sipër banesës time dhe kam marrë një zorrë uji për ta fikur. Në këtë kohë edhe komshiu im, Artur Berhami, më ka thirrur duke më thënë: ‘Ç’është ai zjarr?’. Unë i kam thënë: ‘Hajde se ka rënë zjarr’. Ai s’ka ardhur dhe unë jam përpjekur me mjete rrethanore për ta fikur. Flaka është përhapur me shpejtësi dhe ka qenë e pamundur që unë ta fikja.
Unë me bashkëshorten time çdo ditë hapim ujin e pijshëm të lagjes në mëngjes dhe pasdite, 06:00 deri më orën 07:00, kurse pasdite nga ora 16:00 deri më orën 18:30. Mua më bën përshtypje që në orën që ka rënë zjarri u hap dhe saraçineska e ujit te depoja. Kjo tregon se një person tjetër ka shkuar te depoja e ujit në kohën që ka rënë zjarri, pasi saraçineska e ujit nuk mund të hapet vetë.
Nuk di të jap shpjegime se si ka rënë zjarri. Unë vetë mundohem të jem i kujdesshëm, pasi edhe cigaren unë e fik me pështymë. Unë jam 74 vjeç dhe gjatë jetës time nuk kam kryer herë tjetër vepër penale. Jetoj i vetëm me bashkëshorten time, Nurie Berhami, ndërsa fëmijët e mi i kam jashtë shtetit.
Te ai vend kaloj vetëm unë dhe bashkëshortja ime, kurse poshtë shtëpisë time ka rrugë ku kalojnë njerëz të lagjes”, mësohet të jetë shprehur Berhami në dëshminë e tij.
74-vjeçari u arrestua nga policia, pasi dyshohej se kishte shkaktuar zjarrin. Në momentin kur efektivët mbërritën në zonë, Berhami u gjet duke u përpjekur të shuante flakët. Ndërkohë, në zonën e Abazës vijon puna për kontrollin e vatrave të mbetura aktive, ndërsa zjarri kishte përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjore dhe kishte rrezikuar banesa e biznese.