
TIRANË- Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur paraditen e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Karçanaj duhet të paraqitet pranë autoriteteve dy herë në muaj, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Më 7 maj, Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë masën e sigurisë, për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nën hetim nga SPAK pas dyshimeve për shkelje me tenderët. Karçanaj ishte vendosur më herët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të caktuar nga GJKKO, por me vendimin e fundit, Gjykata e Lartë i ka caktuar ish-drejtoreshës së AKSHI-t masën detyrim paraqitje.
Karçanaj nuk mund të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, ndërsa duhet të paraqitet pranë Policisë gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit, në orën 10:00.
Ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Lidhur me hetimin ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në detyrim paraqitje, ndërsa GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj. Po ashtu dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t, vijojnë të jenë në kërkim. SPAK ka ngritur akuzë edhe për ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas dosjes hetimore. Megjithatë, ndaj Shimës nuk është caktuar masë sigurie, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë./ZËRI