Aktualitet

Incidenti gjatë takimit të Ramës në Lezhë/ Aktivisti goditi me grusht shefin e Policisë Bashkiake, në protestë edhe kandidatja e Lapajt

Nga ana tjetër, PS e quajti këtë një përpjekje për të krijuar tensione politike dhe për të prishur mbledhjen e tyre.

I.F
Incidenti gjatë takimit të Ramës në Lezhë/ Aktivisti
Protesta

LEZHË- Ditën e djeshme teksa kryeministri Edi Rama ndodhej në Lezhë për të prezantuar kandidatën e Partisë Socialiste për deputet, ndodhi një incident. Para se të niste takimi, në sheshin “Gjergj Kastrioti” mbërriten 5 protestues me pankartën “Na morët frymën”. Në mesin e protestuesve ishte edhe Arilda Lleshi, kandidatja për deputete e koalicionit “Nisma Shqipëria bëhet”. Sipas saj, protesta u organizua për ndotjen që po shkakton fabrika “INCA Natural Casings”.

Në këtë protestë ndërhynë edhe autoritetet për t’i larguar, por njëri nga protestuesit, goditi me grusht shefin e Policisë Bashkiake. Policia e Lezhës njofton se për këtë incident po hetohet në gjendje të lirë 49-vjeçari Aleks Gjoni, pasi u kallëzua për dhunë fizike nga drejtori i policisë bashkiake Leonard Palaj.

“Nisi procedimi penal për veprën “goditja për shkak të detytës”, për shtetasin A. Gj., 49 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka kallëzuar shtetasi L. P., 47 vjeç, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Lezhë, se dje, ndërkohë që ishte me shërbim gjatë një takimi elektroral, 49-vjeçari e ka goditur me grusht në fytyrë”, njofton Policia.

Në komisariatin e Lezhës, mbërriti edhe kandidati për deputet i PD-së, Agron Gjerkmarkaj ku u shpreh se Policia terrorizoi qytetarët dhe e quajti shoqërimin e tyre të stisur nga Policia Bashkiake, e cila u përdor politikisht.

Ndërsa nga komisariati, Arilda Lleshi tha se ata shkuan paqësisht në takimin e organizuar nga kryeministri, por u sulmuan nga Policia.

“Dolëm me parullën tonë “Na morët frymën” shkuam paqësisht në mitingun e Partisë Socialiste, ku na thanë se do ishte Edi Rama, të cilin duam ta takojmë prej kohësh. Mbajtëm distancën dhe qëndruam në heshtje. Na u sulën me forcë Policia Bashkiake, duke gjuajtur mbi djemtë tonë. Tre prej tyre u shoqëruan nga policia”, tha ajo.

Pavarësisht, incidentit takimi në Lezhë vazhdoi dhe përmes një deklarate dega e PS, iu bëri thirrje PD-së të mos mbështesë aktorët që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, në deklaratën e saj, PS shkruan se aktorët politikë të tregojnë përgjegjshmëri dhe të mos manipulojnë opinionin publik.

“Nuk do të tolerojmë askënd që në mënyrë të paligjshme ndërhyn apo pengon tubimet elektorale. Ftojmë të gjithë aktorët politikë të tregojnë përgjegjësi, të mos manipulojnë opinionin publik dhe të mos manipulojnë akte që ndotin klimën elektorale në Lezhë”, thuhet në deklaratë./ZËRI

Poll

MOS HUMB