
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dosjen ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Qani Xhafa, i cili u përfshi në një aksident. Pas dorëzimit të dosjes, pritet që Gjykata e Posaçme të marrë vendimin për nisjen e gjykimit ose pushimin e çështjes për demokratin.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.27 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Qani Xhafa, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se më 11 mars 2023, i pandehuri Qani Xhafa, aktualisht Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota me targa AB 457 IJ, në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale. I pandehuri Qani Xhafa ushtron funksionin e Deputetit në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 19 Maj 2023”, njofton SPAK.
Xhafa, i dehur në timon përplasi një qytetar në Elbasan në 2023, ndaj akuzohet për veprën penale: drejtim mjeti në gjendje të dehur. Kështu me marrjen e dosjes nga GJKKO, trupa gjykuese ka vendosur që hetimet të kryen nga SPAK duke arsyetuar se deri më tani ishin kryer nga një Prokurori jo kompetente.
Aksidenti ndodhi më datë 13 Mars 2023, e fill pas ngjarjes Xhafa përfundoi në pranga pasi u konstatua se ishte në gjendje të dehur. Por u lirua menjëherë të nesërmen, madje bëri edhe një reagim në rrjetet e tij sociale. Në një postim në Facebook, Xhafa shkruante se është në gjendje të mirë shëndetësore. Në kohën e aksidentit, Qani Xhafa ishte kandidat për deputet por pasi Luciano Boçi la mandatin për të garuar për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale për Elbasanin, ndaj automatikisht u fut në Kuvend si deputet i Partisë Demokratike./ZËRI