SARANDË- Një motor i braktisur është gjetur në lagjen "Baba Rexhepi", pas kontrolleve të Policisë së Sarandës, pikërisht në zonën drejt së cilës dyshohet se i janë drejtuar autorët pas atentatit ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati.
Sipas burimeve, mjeti është gjetur buzë detit, në vendin e quajtur “Kasollja”. Policia dyshon se motori mund të jetë përdorur nga autorët të cilët qëlluan me 9 plumba drej 50-vjeçarit, mbrëmjen e së premtes.
Nga verifikimet paraprake rezulton se motori nuk ka shenja dëmtimi apo djegieje, çka mund t’i mundësojë grupit hetimor mbledhjen e provave biologjike për identifikimin e personave që e kanë përdorur.
Sakaq, janë ngritur dyshimet se autorët mund të jenë larguar me një mjet lundrues (skaf) ose mund të jenë fshehur në banesat e zonës periferike.
Deri në këto momente dyshohet se atentati ndaj Rubatit ka qenë i planifikuar dhe organizatori ka shfrytëzuar qëllimisht ngjarjen e një dite më parë kur djali i tij u konfliktua me një oficer policie, me qëllim ngatërresën e pistës së hetimit.
Aktualisht policia po heton disa pista, ku përfshihen konfliktet e hershme, larja e hesapeve, si edhe e shkuara e 50-vjeçarit, i cili prej vitesh rezulton një person i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke./ZËRI