Aktualitet

Atentati ndaj Davellës dhe Hysës në Athinë, dy të akuzuarit dalin para gjykatës: Nuk kemi lidhje me vrasjen!

Sipas avokatëve mbrojtës, Manolis Anastasakis dhe Spyridon Dionysiotis, ata ende nuk kanë marrë dosjen dhe nuk janë njohur me provat, për të cilën akuzohen klientët e tyre.

I.F
Atentati ndaj Davellës dhe Hysës në Athinë, dy të
Jenis Tulja dhe Mirjan Guveli

ATHINË- Jenis Tulja dhe Mirjan Guveli, dy të dyshuarit për vrasjen e Irakli Davellës dhe plagosjes së Edi Lulos alias Etmond Hysës kanë dalë sot para Gjykatës në Greqi. Ata kanë mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë dhe refuzuan të flasin para togave të zeza. Tulja dhe Guveli kërkuan më shumë kohë që të njiheshin me dosjen dhe provat ndaj tyre, veçanërisht ato audio-vizive. Sipas avokatëve mbrojtës, Manolis Anastasakis dhe Spyridon Dionysiotis, ata ende nuk kanë marrë dosjen dhe nuk janë njohur me provat, për të cilën akuzohen klientët e tyre.

“Klientët tanë mohuan akuzat dhe më pas ushtruan të drejtën e tyre për të heshtur, sepse nuk na u vu në dispozicion materiali shkresor i gjithë hetimeve paraprake dhe konkretisht i gjithë materialin audio-vizual që është edhe mjeti dominues i provës. Ne rezervojmë të drejtën për një seancë shtesë dhe nëse do të na ofrohen këto detaje”, thanë avokatët e tyre.

Autoritete greke kanë arrestuar dy shqiptarët si të dyshuarit kryesorë si autorët e vrasjes së së 47-vjecarit Irakli Davella dhe plagosjes së 46-vjecarit Edi Lulo alias Etmond Hysa më 15 dhjetor 2024 në Thermomakedones të Athinës. Sipas mediave greke, Jenis Tulja, 44 vjec nga Tirana dhe Mirjan Guveli, 45 vjec nga Saranda akuzohen për veprat penale “organizatë kriminale”, “vrasje”, “armëmbajte pa leje”, “falsifikim” dhe “mbajtje lëndësh narkotike”.

Sipas mediave greke, dy autorët janë vrasës me pagesë, ndërsa rezultojnë edhe me precedentë të mëparshëm penalë. Jenis Tulja është pronari i një kafeneje në Petroupoli të Athinës, ndërsa është riregjistruar në Greqi edhe si Denis Ruçi. Ndërsa vëllai i tij Fation Tulja është arrestuar në Tiranë në prill të 2024 pasi u kap me armë zjarri pa leje. Po ashtu edhe Mirjan Guveli, rezulton i regjistruar edhe si Mario Guveli. Por, në vendin tonë ende nuk ka informacione nëse ata kanë precedentë penalë.

Sipas hetimeve nga autoritetet greke, të dy, si viktima edhe i plagosuri, kanë qenë shënjeshtra e atentatorëve, të cilët hapën zjarr nga makina. Hysa ka qenë dënuar më parë me burg nga autoritetet greke, pasi në vitin 2011 së bashku me dy shqiptarë të tjerë kanë grabitur Dhomën e Avokatëve të Athinës, ku morën një shumë rreth 405 mijë euro. Po ashtu, ai u dënua për grabitjen e një klinike mjekësorë në Pagrati, ku morën pajisje me vlerë 110 mijë euro. Pasi ai përfundoi dënimin në Greqi, u riatdhesua në Shqipëri. 46-vjeçari jetonte në Dubai, por në datë 9 dhjetor ka shkuar në Greqi me identitetin Edi Lulo. Po me këtë identitet të ri, Hysa rezulton i regjistruar në Shqipëri, ku është dhe pronar i një biznesi në qytetin e Durrësit.

Ndërsa Davella ishte një personazh kontrovers, me lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës. Në të treja vende ka shtrirë bizneset dhe zotëron pasuri të patundshme. Ai kishte lidhje të ngushta miqësore me mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018). Emri i tij renditet në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj./ZËRI

Poll

MOS HUMB