Aktualitet

KLP jep vërejtje publike për zvarritje hetimesh ndaj prokurorit Llaho

Pavarësisht pretendimeve të ILD-së, KLP vendosi t’i japë vetëm "vërejtje publike".

I.F
KLP jep vërejtje publike për zvarritje hetimesh ndaj prokurorit Llaho
Kledian Llaho

TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj magjistratit Kledian Llaho. Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi ndaj tij caktimin e masës disiplinore “vërejtje publike” pasi e ka gjetur "fajtor" për zvarritje hetimesh. Kjo pasi përfaqësuesit e ILD-së pretenduan në seancën e 10 janarit se Llaho kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore, duket listuar edhe gjetjet e tyre. Por përveç vërejtjes, ispektorët e ILD-së edhe kërkuan të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë 1-vjeçare. Pavarësisht pretendimeve të ILD-së, KLP vendosi t’i japë vetëm "vërejtje publike".

“Në seancën e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj magjistratit K.Ll., prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke i caktuar masën “vërejtje publike”. Hetimi disiplinor i ILD-së ndaj magjistratit ka nisur bazuar në ankesën e një qytetareje, të paraqitur përmes formularit online në faqen e ILD-së, me pretendimin për zvarritje të hetimit të procedimit penal nga ana e prokurorit K.Ll. Hetimi disiplinor konkludoi se nga ana e prokurorit K. Ll. janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, të cilat kanë të bëjnë me mos përmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve; mosveprimet e prokurorit janë kryer me faj me dashje direkt, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2 vjeçare. Raporti hetimor i ILD-së vëren, se si pasojë e shkeljes disiplinore të kryer nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor është cenuar prestigji i figurës së prokurorit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia, ndërsa kjo sjellje e papërshtatshme mund të krijojë terren për raste të tjera të ngjashme. Duke marrë në konsideratë se magjistrati nuk ka masë disiplinore dhe nuk ka kryer shkelje tjetër disiplinore, ILD i propozoi KLP-së marrjen masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës” në masën 40 % për një afat një vjeçar ndaj prokurorit K.Ll., parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c” dhe neni 108 i ligjit “Për statusin”, kërkesë që u pranua pjesërisht nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që vendosi caktimin e masës “Vërejtje publike” për prokurorin K.Ll.,”- thuhet në njoftim.

Seanca e parë ndaj tij u mbajt të hënën, kur ILD kërkoi një masë disiplinore të dytë ndaj Llahos, që lidhet me mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligj në cilësinë e drejtuesit, duke pretenduar se kishte kryer shkelje duke ndërhyrë tek magjistratët e tjerë. Por edhe po diskutohet për të, Llaho kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se donte që të përfaqësohej me një avokat.  Po ashtu, Llaho është pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Sipas SPAK, Llaho dyshohet se ka kryer veprime korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Kledian Llaho dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij dhe ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.

Kledian Llaho u konfirmua me shumicë votash më 22 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Edhe pse u kualifikua, vendimi i KPK u ankimua pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa. Ky i fundit dërgoi në KPA konfirmimin e tij në detyrë me pretendimin se magjistrati ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Por që nga koha kur vendimi është apeluar, çështja ende nuk është shqyrtuar në KPA./ZËRI

Poll

MOS HUMB