Aktualitet

U ekstradua pak ditë më parë nga Spanja, Apeli i Posacëm lë në qeli Eralb Brecanin

Sipas SPAK, Brecani dyshohet se është pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ervin Mata

M.K.
U ekstradua pak ditë më parë nga Spanja, Apeli i Posacëm
Eralb Breçani & Erzen Breçani

TIRANË– Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në burg" për Eralb Breçanin.

Trupa gjykuese rrëzoi ankimin e Breçanit, i cili kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë, duke e lënë atë në qeli.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar z. Dhimitër Lara, sot më datë 09.07.2026, disponoi për çështjen penale nr. 27 akti, datë 03.07.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.B: “Ankim kundër vendimit nr. 43, datë 15.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit për të arrestuarin E.B dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.”, si vijon: -Miratimin e urdhrit nr. 43, datë 15.06.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall më 09.07.2026.

Breçani u shpall në kërkim në nëntor të vitit 2023 si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe u vetëdorëzua në Spanjë në 2 prill të këtij viti. Sipas SPAK, Eralb Breçani dyshohet se është pjesë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte Ergys Dashi dhe Ervin Mata. Ky i fundit është dhe kunati i Eralbi Breçanit.

Zhvillimi i hetimeve erdhi si rezultat i analizës së komunikimeve të siguruara nga aplikacione të koduara si Sky ECC, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e aktiviteteve të dyshuara kriminale. Sipas dosjes hetimore, Eralbi Breçani përballet me akuza të rënda që lidhen me trafikimin e narkotikëve në bashkëpunim, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe me pastrimin e produkteve të veprës penale.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Eralbi Breçani së bashku me Ergys Dashin dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e 446 kg sasi kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë, ku në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.

I gjithë aktiviteti kriminal i trafikimit të kokainës që vinte nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Europian nga Eralbi Breçani, dyshohej se pastrohej brenda vendit nga babai i tij, ish-zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Me veprime aktive të kundërligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, grupi ku bënin pjesë babë e bir, shfrytëzonin pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal./ZËRI

Poll

MOS HUMB