TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Zvërnecit.
Kompania në fjalë është në pronësi të vëllezërve Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, sipërmarrës të njohur nga Katari, të cilët planifikojnë të investojnë së bashku me Jared Kushner në ndërtimin e një resorti luksoz në këtë zonë.
Burimet bëjnë me dije se “Albania Land Development” ka blerë tokat mbi të cilat do të realizohet projekti. Këto prona fillimisht ishin në pronësi të Redi Strugës, i cili pas shitjes u emërua një nga tre administratorët e kompanisë, por me të drejtë të kufizuar për firmë.
Po ashtu, raportohet se Redi Struga është kontrolluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), një veprim që tregon se hetimet përfshijnë edhe menaxhimin e kompanisë dhe nuk fokusohen vetëm te pronarët.
Hetimi i SPAK pritet të zbulojë më shumë rreth mënyrës se si janë përvetësuar pronat dhe rrethanave të lidhura me projektin e planifikuar në Zvërnec.
Në qendër të hetimit përmendet gjithashtu Artur Shehu, aktualisht në Shtetet e Bashkuara, i cili dyshohet se ka pasur rol drejtues në këtë skemë.
Në hetim janë edhe 3 kompani të tjera, në pronësi të 3 biznesmenëve të njohur, njëri prej të cilëve është i shpallur në kërkim. Kontrollet dyshohet se kanë qenë të lidhura me ngjarjen e ndodhur në Zvërnec. BKH ka kontrolluar dosjet në lidhje me projektin e Zvërnecit, por edhe faktin se si është administruar ngjarja nga Policia e Qarkut. Lidhur me aksionin e ndërmarrë ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet./ZËRI