TIRANË- Një grabitje me armë është regjistruar mesditën e kësaj të mërkure në një argjendari në pronësi të shtetasit me iniciale L.L., në zonën e Paskuqanit, në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, dy persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar argjendarinë dhe pas ngjarjes, janë larguar nga vendngjarja me një motor.
Sipas njoftimit të Policisë, autorët kanë kanosur punonjëset me një send në dukje armë zjarri dhe kanë marrë një sasi bizhuterish. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve, ndërsa në zonë janë ngritur pika kontrolli për kapjen e tyre.
Njoftimi i Policisë:
Kamëz/Informacion paraprak
Më datë 05.08.2026, rreth orës 14:50, në Paskuqan, 2 shtetas ende të paidentifikuar, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit L. L. dhe duke kanosur punonjëset me send në dukje armë zjarri, kanë marrë një sasi bizhuterish.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe dokumentimin e plotë të rastit.