ELBASAN- Tre persona janë arrestuar në Elbasan, pasi u kapën duke transportuar në dy raste të ndryshm 24 emigrantë të paligjshëm të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në pranga kanë rënë: Florjan Mustafa, Denis Çollaku dhe Aleksandër Rira. Ky i fundit, gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Sipas njoftimit të Policisë, Florjan Mustafa u kap duke transportuar 14 emigrantë në aksin Librazhd–Elbasan, ndërsa Aleksandër Rira dhe Denis Çollaku u arrestuan në një rast tjetër, duke transportuar 10 emigrantë.
Njoftimi i Policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për shtetas të përfshirë në veprimtarinë kriminale të transportimit kundrejt pagesave, të emigrantëve nga Vendet e Treta, të cilët synojnë të shkojnë ilegalisht, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme "Shqiponja", finalizuan 2 operacione të njëpasnjëshme në këtë fushë.
Konkretisht, nga 2 ndërhyrjet e kryera në aksin rrugor “Librazhd–Elbasan”, u finalizuan operacionet e koduara:
-“Aksi”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, duke transportuar 14 emigrantë, shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan;
-“Aksi 01”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë, duke transportuar 10 emigrantë, shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Përrenjas. Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. R. e drejtonte automjetin me të cilin transportonte emigrantët, pa leje drejtimi.