Aktualitet

"Ministri jo vetëm që s'u pyet..."/ Të shtënat në Palasë 'përplasin' gazetarët: Ishte pyetja e parë, por intervista pati probleme teknike

Një ditë më parë, gazetarja Desada Metaj kritikoi hapur ministrin, ku në një shkrim të publikuar nga Vna.al, ajo thotë se Lamallari nuk e përmendi në asnjë momenti ngjarjen në Palasë, përveçse nuk është pyetur gjatë intervistës.

zh.ll
"Ministri jo vetëm që s'u pyet..."/ Të
foto ilustrim: besfort lamallari-jahti ne palase

TIRANË- Të shtënat në Palasë, ngjarje ende nën hetim, teksa një intervistë e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, e ka zhvendosur vëmendjen te mënyra e menaxhimit të situatës.

Në një intervistë të tij të fundit gjatë një edicioni lajmesh në Klan.tv, ka tërhequr vëmendjen dhe ka ngjallur reagime. Një ditë më parë, gazetarja Desada Metaj kritikoi hapur ministrin, ku në një shkrim të publikuar nga Vna.al, ajo thotë se Lamallari nuk e përmendi në asnjë moment ngjarjen në Palasë, përveçse as nuk është pyetur gjatë intervistës.

“Edhe më e çuditshme është se ministri i Brendshëm, në intervistën e tij televizive, jo vetëm që nuk u pyet për këtë ngjarje, por as nuk e përmendi atë”, shkruan Metaj.

Në shkrim, gazetarja ngre gjithashtu dyshime dhe pretendimet për fshirjen e një komenti në rrjetet sociale, duke e lidhur këtë me publikimin e lajmit për të shtënat në Palasë.

Shkrimi i gazetares: Besfort Lamallari është prej pak kohësh ministër i Brendshëm. Ai vjen pas një karriere të gjatë si zëvendësministër i Brendshëm dhe, për hir të së vërtetës, ka ruajtur profilin teknik të një funksionari të ri, të paperlyer nga zullumet e politikës shqiptare.

Por në pak muaj duket se zoti Lamallari ka ndryshuar qasje dhe qëndrim. Arsyet i di vetë ai, por daljet e tij publike po ngjajnë gjithnjë e më shumë me propagandën e dobët të Rilindjes Socialiste.

Pasi debatoi me gazetarët për çështjen e protestave dhe rolin e Policisë së Shtetit, së fundmi ministri ka marrë përsipër të shfaqet edhe si “Spiderman”, duke publikuar pamje nga shuarja e zjarreve që kanë përfshirë vendin. Është një punë që meriton vlerësim dhe askush nuk e vë në diskutim sakrificën e efektivëve të Policisë së Shtetit, zjarrfikësve apo forcave të tjera të angazhuara në terren. Por ka shumë pak gjasa që kjo të jetë detyra kryesore e ministrit të Brendshëm.

Në një intervistë televizive të dhënë sot, zoti Lamallari foli gjatë për punën e forcave të rendit dhe zjarrfikësve në përballimin e flakëve, si edhe për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Një sezon që vetëm dy ditë më parë u trondit nga krismat e armëve në një jaht pranë bregut të Palasës, në zonën që konsiderohet vitrina e turizmit shqiptar.

Pavarësisht se policia ndoqi për disa orë personat e dyshuar, ngjarja nuk do të bëhej publike nëse nuk do të ishte raportuar nga media. Policia nuk publikoi asnjë njoftim zyrtar, ndërsa deri më sot nuk ka asnjë shpjegim për arsyet e kësaj heshtjeje.

Edhe më e çuditshme është se ministri i Brendshëm, në intervistën e tij televizive, jo vetëm që nuk u pyet për këtë ngjarje, por as nuk e përmendi atë. Më pas, një koment i një qytetareje në rrjetet sociale, ku ishte publikuar linku i raportimit të VNA mbi ngjarjen, u fshi nga faqja e ministrit.

Vështirë të besohet se një ministër i Brendshëm merret personalisht me seleksionimin e komenteve në Facebook. Më e besueshme është që këtë ta ketë bërë stafi i tij, me qëllimin që ministri të mos “shqetësohet” nga një ngjarje e rëndë, e cila jo vetëm u mbajt e fshehtë nga Policia e Shtetit, por vijon të mbetet pa autorë të identifikuar, ndërsa personat e dyshuar janë lënë të lirë.

I nderuar zoti ministër, jeni ende shumë i ri për të rënë në kurthin e vjetër të mbulimit të ngjarjeve të rënda. Nga përvoja juaj në Ministrinë e Brendshme duhet ta dini se fshehja e një ngjarjeje të tillë, nëse nuk ka prapavijë politike, të paktën ngre dyshime për një prapavijë kriminale.

Nëse sot përpiqeni të fshini, të mbuloni apo të zhdukni gjurmët e një raportimi të saktë mediatik, si mund të presin qytetarët që nesër të besojnë se do të kapni autorët e krimit apo personat në kërkim?

Me këtë logjikë, nuk do të ishte çudi që edhe ata që kërkohen nga SPAK t’i mësoni nga mediat se ku ndodhen, ndërkohë që ju dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit vazhdoni t’i kërkoni në qiell, kur në fakt mund të jenë shumë më pranë sesa mendoni.

Por, nga ana tjetër. Pretendimi i gazetares është kundërshtuar publikisht gazetari që zhvilloi intervistën me ministrin Lamallari.

Në një ragim publik, gazetari Bes Jacaj e cilëson deklaratën e saj si “të pasaktë dhe të pavërtetë”, duke publikuar edhe videon e intervistës.

Madje, gazetari thekson se ajo ishte pyetja e parë që i ka drejtuar ministrit. Ai shton se intervista pati probleme teknike dhe u deshën rreth 15 minuta për t'i rregulluar. Për këtë arsye, sipas tij, intervista është publikuar në dy pjesë në YouTube.

Postimi i plotë i gazetarit:

Përgjigje publike për Desada Metaj,

Znj. Metaj, deklarata juaj së fundmi në një shkrim në vna.al se “në intervistën e tij televizive, (ministri i Brendshëm) jo vetëm që nuk u pyet për këtë ngjarje (të Palasës), por as nuk e përmendi atë”, artikull të cilin e keni shoqëruar me foton nga biseda në studion time, është e pasaktë dhe e pavërtetë.
Video më poshtë dëshmon se ajo është pyetja e parë që i është bërë ministrit, ndjekur më pas nga “Kush i tremb më shumë turistët, protestuesit apo të shtënat me armë?”
Intervista pati probleme teknike (siç shihet në fund të videos), të cilat u rregulluan pas 15 minutash përpjekje.
Në Youtube, janë hedhur të dyja pjesët, pavarësisht se si shkak si gabimi, video është hedhur dy herë e njëjta.
Këtu është pjesa që është hedhur me ide për ngjarjen në Palasë. https://youtu.be/IR0igj0fëgI?si=GHo3D3zYVriUn_ar
Unë nuk marr asnjë përgjegjësi për çfarë thotë apo si përgjigjet i ftuari, por akuzat për mosbërje detyrë (mos o Zot) me qëllim apo (largqoftë) nga padija, nuk i pranoj.
Faleminderit

Ndërkohë, sa i përket ngjarjes në Palasë, hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të të shtënave dhe identifikimin e personave përgjegjës. Në jahtin luksoz ndodheshin Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i “Brunes Group”, si dhe Pashk Gjini, i njohur me nofkën “El Chapo shqiptar”, së bashku me Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati. Deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka bërë të ditur autorët e ngjarjes, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat dhe motivet që çuan në përdorimin e armëve pranë bregut të Palasës. 

Poll

MOS HUMB