FIER- Disa shtetas në Fier po do të heton pasi dyshohen për ushtrimin pa licencë të veprimtarive financiare. Policia e Fierit bën me dije se hetimet kanë nisur për 14 persona, ku për 11 prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa për 3 të tjerë “detyrim paraqitje”.
"Arrest shtëpie" u vendos për: Etland Dhamo, Hasan Shametaj, Enis ikonomi, Admir Iljazi, Laurenc Toska, Luan Zenelaj, Fatmir Dervishaj, Viktor Binaj, Denis Arapi, Rinush Stavri dhe Çlirim Sino.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve në njësitë tregtare dhe banesat e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme. Gjthashtu, na banesën e njëri prej tyre u gjetën edhe armë, të cilat u sekustruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Ekzekutohen 11 masa sigurimi personal “Arrest në shtëpi” dhe 3 masa sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, për 14 shtetas.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksioni 2”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë ekzekutimi i urdhrave të prokurorit, në zbatim të vendimit të gjykatës, për 14 shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.
Në zbatim të vendimit të gjykatës, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit:
E. Dh., 55 vjeç, H. Sh., 58 vjeç, E. I., 34 vjeç, A. I., 45 vjeç, L. T., 27 vjeç, L. Z., 57 vjeç, F. D., 67 vjeç, V. B., 58 vjeç, R. S., 39 vjeç, D. A., 36 vjeç dhe Ç. S., 38 vjeç, banues në Fier dhe Tiranë.
Për shtetasin Ç. S., nisi procedimi penal, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive tip pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 3 shtetase të tjera.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në njësitë tregtare dhe banesat e shtetasve të përfshirë në hetim, u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme, konkretisht:
* 4 461 000 lekë;
* 92 390 euro;
* 8 215 paund;
* 19 022 dollarë;
* 220 franga;
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier vijon angazhimin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.