Aktualitet

Gjykata e Lartë rrëzon sekuestron e pasurive të Arben Ahmetajt, dosja rikthehet për rigjykim

Megjithatë, me këtë vendim, çështja nuk konsiderohet e mbyllur, por rikthen procesin në fazën e rigjykimit, ku do të merret një vendim i ri për pasuritë e sekuestruara të ish-zyrtarit të lartë.

zh.ll
Gjykata e Lartë rrëzon sekuestron e pasurive të Arben Ahmetajt,
arben ahmetaj

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin që kishte lënë në fuqi sekuestrimin e disa pasurive të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, duke e rikthyer çështjen për shqyrtim në Apelin e Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me vendimin e sotëm, gjyqtari Gent Shala rrëzoi vendimin e mëparshëm të dhënë nga gjyqtari Dhimitër Lara për sekuestrimin  e pasurive në emër të Ahmetajt. Si pasojë, dosja do të shqyrtohet sërish nga Apeli i GJKKO-së, por me një trupë tjetër gjykuese, e cila do të rivlerësojë ligjshmërinë e masës së sekuestrimit.

Megjithatë, me këtë vendim, çështja nuk konsiderohet e mbyllur, por rikthen procesin në fazën e rigjykimit, ku do të merret një vendim i ri për pasuritë e sekuestruara të ish-zyrtarit të lartë.

Bëhet fjalë për pasuri, të cilat përfshijnë, vila, apartamente dhe llogari bankare, që ishin lënë nën sekuestro nga Apeli i Posaçëm edhe pas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka.

Ahmetaj po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie” për çështjen e inceneratorëve, si edhe për “shpërdorim të detyrës” në çështjen “Buka sha”./ZËRI

Poll

MOS HUMB