
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hequr sekuestron ndaj 5 pronave të bllokuara për llogari të Oltion Bistrit, për të cilat kishin paguar 1 milion e 300 mijë euro. Kërkesa për heqjen e sekuestros është dorëzuar nga avokati Dhimitër Muslia që përfaqësonte shoqërinë "Arlis Shpk". Për vendimin, SPAK kishte kundërshtime. Në këtë kompani, SPAK kishte vendosur sekuestro dy apartamente dhe tre dyqane, të cilat tashmë janë liruar me urdhër të Gjykatës së Posaçme.
Paratë që kompania kishte marrë nga Bistri dhe familjarët, i kalojnë Drejtorisë së Administrimit të Aseteve të Pasurive të Sekuestruara, ndërsa apartamentet dhe dyqanet i kthehen shoqërisë “Arlis”.
Prokuroria e Posaçme njoftoi në maj të këtij viti se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milionë euro në pronësi të Oltion Bistri, i arrestuar më herët me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale. Ndaj Oltian Bistri dhe familjarëve të tij janë sekuestruar pasuri përfshi 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë.
SPAK ka mbyllur hetimet për Oltion Bistrin në kuadër të operacionit Metamorfoza, ku ish-shefi i operacionales i shërbente biznesmenit Pëllumb Gjoka, në veprimtari të paligjshme. Bistri akuzohet për korrupsion, zbulimin e të dhënave sekrete, si dhe pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale. Ndaj tij ka rënë akuza për pjesëmarrje në grup kriminal./ZËRI