Aktualitet

Gazetarja Glidona Daci sulmohet me gjuhë denigruese online

Disa orë pas publikimit në faqen, e cila ende nuk dihet se nga kush është hapur, një reagim ka ardhur nga vetë gazetarja.

k.m.
Gazetarja Glidona Daci sulmohet me gjuhë denigruese online
Glidona Daci

TIRANË- Një profil në Facebook, i hapur sot, ka sulmuar gazetaren Glidona Daci. Faqja e Facebook, e hapur me identitetin e personit që nuk ekziston "Nesti Angoni" (i njëjti "person" që bëri kallëzimin për kryebashkiakun Erion Veliaj) ka nisur një valë sulmesh ndaj gazetares. Disa orë pas publikimit në faqen, e cila ende nuk dihet se nga kush është hapur, një reagim ka ardhur nga vetë gazetarja.

Në një bisedë me BIRN, gazetarja e Klan News, Glidona Daci tha se sulmi ka lidhje me detyrën e saj dhe komentet që ka bërë së fundmi për çështjet që po heton Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.Ajo shprehet se nuk është hera e parë që sulmohet për shkak të detyrës që ushtron. Po ashtu, bëri me dije se për rastin do të depozitojë edhe një kallëzim.

“Sulmi mendoj se lidhet me detyrën time si gazetare, për shkak edhe të raportimeve që kam bërë në lidhje me zhvillimet e fundit dhe punës së Prokurorisë së Posaçme. Nuk është hera e parë që jam në qendër të këtyre sulmeve, por të arrinin deri në këtë pikë që të më denigrojnë figurën time, nuk e prisja. Kam një gjë për familjen time: mos u mërzisni, ju e dini çfarë vajze keni rritur dhe nuk do dorëzohem në kryerjen e punës time ashtu siç kam bërë deri më tani,"-tha Daci për BIRN.

Për sulmin e bërë sot, një reagim ka ardhur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Kjo organizatë shprehu shqetësimin e thellë për shtimin e sulmeve online ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, përgjatë ditëve të fundit. 

REAGIMI I PLOTË:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për shtimin e sulmeve online ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, gjatë ditëve të fundit. Në një klimë të tensionuar politike, vërejmë me alarm rritjen e gjuhës së urrejtjes, intimidimit dhe përpjekjeve për të denigruar gazetarët. Roli i tyre është të raportojnë mbi zhvillimet e përditshme, përfshirë ato të drejtësisë, dhe askush nuk duhet t'i frikësojë apo t'i pengojë në ushtrimin e detyrës së tyre për të sjellë të vërtetën, cilado qoftë ajo. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj gazetarëve, të cilët jo vetëm kanë të drejtën, por edhe detyrën profesionale për të informuar publikun me paanshmëri dhe saktësi.

Pritet që pas hetimeve të Policisë, të zbulohet se kush fshihet pas sulmeve online që cënojnë dhe kanë për qëllim denigrimin e figurave publike, në këtë rast të gazetarëve./ZËRI

ZERI POLL

Ku do t'i kaloni pushimet për këtë verë?

  • Në Shqipëri
  • Do udhëtoj jashtë vendit
  • Jam i/e pavendosur
  • Nuk do të bëj fare pushime

MOS HUMB