Aktualitet

VOA: 'Euronatur' i kërkon bashkisë së Mynihut të tërheqë mbështetjen për Aeroportin e Vlorës

Peticioni, sipas organizatës mjedisore gjermane e cila është aktive prej vitesh edhe në Shqipëri, pritet të shqyrtohet nesër nga këshilli bashkiak i Mynihut.

Redaksia Zëri
VOA: 'Euronatur' i kërkon bashkisë së Mynihut të
Foto ilustruese

TIRANË- Organizata mjedisore gjermane “EuroNatur” tha të hënën se i ka drejtuar një peticion Këshillit të Bashkisë së qytetit të Mynihut, me kërkesën për tërheqjen e mbështetjes për projektin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri. Peticioni, sipas organizatës mjedisore gjermane e cila është aktive prej vitesh edhe në Shqipëri, pritet të shqyrtohet nesër nga këshilli bashkiak i Mynihut.

Kompania që operon Aeroportin e Mynihut (Flughafen Munchen Gmbh) është në rolin e kompanisë këshilluese në projektin e Aeroportit të Vlorës dhe qyteti i Mynihut është 23 për qind aksionar në aeroportin e Mynihut. Sipas një deklarate për mediat nga “EuroNatur” peticioni “i bën thirrje kryebashkiakut të Mynihut Dieter Reiter të shprehet në bordin mbikëqyrës të kompanisë në favor të tërheqjes nga shërbimet e konsulencës dhe menaxhimit për planifikimin dhe funksionimin e aeroportit të Vlorës, i cili aktualisht është në ndërtim”.

Drejtori ekzekutiv i “EuroNatur", Gabriel Schwaderer thotë se “përveç Konventës së Bernës, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar ashpër ndërtimin e aeroportit të Vlorës në një rezervat natyror evropian”.

“Qyteti i Mynihut, Shteti i Lirë i Bavarisë dhe Republika Federale e Gjermanisë duhet të ndërmarrin veprimet e duhura dhe të tërhiqen plotësisht nga projekti,”- thotë Schwaderer.

Puna ndërtimore në aeroportin e Vlorës pranë peisazhit të mbrotjur Vjosë-Nartë në Shqipëri po vijon pavarësisht thirrjes së Konventës së Bernës për të ndaluar ndërtimin dhe protestat e organizatave mejdisore. Sipas burimeve zyrtare shqiptare përfaqësuesit e Aeroportit të Mynihut, zhvilluan pak kohë më parë në Shqipëri një takim me zyrtarët e Aeroportit Civil Shqiptar.

Gjatë takimit, sipas burimeve zyrtare shqiptare, u diskutua jo vetëm mbi çështjet e certifikimit të Aeroportit të Vlorës, që tashmë kanë filluar, por edhe planin e tranzicionit, rekrutimin dhe trajnimin e stafit, si dhe emërimin e pozicioneve kyçe drejtuese. Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet të shkojë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.

Sipas autoriteteve shqiptare në prill të këtij viti mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut./VOA

Poll

MOS HUMB