
TIRANË- Pas pezullimit të procesit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar ka reaguar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Prezenca e OSBE bën thirrje për një proces transparent gjatë zgjedhjes së drejtorit. Organizata lajmëron se është në pritje të vendimeve që do të merren gjatë seancës dëgjimore që do të zhvillohet ditën e hënë, për garën e drejtorit të ri të RTSH-së.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet mbështetjes ndërpartiake, Asociacionit të Gazetarëve, SCIDEV-Center dhe Safe Journalists në mirëpritjen e vendimit të RTSH-së për të pezulluar procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm. Bëjmë thirrje për një proces transparent, të bazuar në meritë, që të sigurojë drejtësi dhe llogaridhënie, dhe presim me interes seancën dëgjimore të së hënës”, thuhet në njoftim.
Për këtë ngjarje, reagoi edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i cili e quajti vendimin e duhur ndalimin e garës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, po ashtu edhe Gonzato kërkoi një proces transparent.
"Vendimi i duhur. Në një kohë kur ne hapim platformën për promovimin e lirisë së shprehjes në Shqipëri përmes dialogut të hapur, ne duhet të ndërtojmë besim dhe të sigurojmë transparencë", tha Gonzato.
Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi me shumicë votash që të skualifikojë 8 nga 10 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pas votimit, në garë mbetën vetëm drejtoresha e komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza. Të gjithë të tjerët u skualifikuan! Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotësonin, ose jo, kandidatët që po merrnin pjesë. Një tjetër problem ka lidhje me faktin që njëri nga anëtarët nuk ishte fare i pranishëm në mbledhje. Ai e ka votuar nga Vietnami, duke thyer rregullin kyç, atë të votimit të fshehtë.
5 muaj nga dorëheqja e Alfred Pezës, Radio Televizioni Shqiptar ende nuk e ka një drejtues. Që nga largimi i Pezës, drejtoreshë e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar u vendos Aurora Polo. Me hapjen e garës, secili nga kandidatët do t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve, por kjo nuk ka ndodhur. Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin./ZËRI