Aktualitet

Pas paralajmërimit të Kuvendit, Këshilli i RTSH-së kthen në garë 8 të skualifikuarit për drejtor

Këshilli Drejtues i RTSH-së ka anuluar vendimin e marrë pak ditë më parë për skualifikimin nga gara për drejtues të RTSH-së të tetë nga 10 kandidatëve që kishin aplikuar.

F.I
Pas paralajmërimit të Kuvendit, Këshilli i RTSH-së kthen
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Pas thirrjes nga Komisioni Parlamentar i medias, Këshilli Drejtues i RTSH-së ka anuluar vendimin e marrë pak ditë më parë për skualifikimin nga gara për drejtues të RTSH-së të tetë nga 10 kandidatëve që kishin aplikuar. Në një mbledhje urgjente te zhvilluar sot nën drejtimin e nënkryetarit Gëzim Podgorica, me nëntë vota pro është vendosur që gara të rikthehet nga fillimi dhe të tetë kandidatët e lënë jashtë, të bëhen sërish pjesë e garës.

Vendimi vjen pasi Kuvendi me një propozim të përbashkët mes PD dhe PS paralajmëroi masa drastike për Këshillin Drejtues nëse nuk do ta rikthente garën në televizionin publik. Anëtarët e opozitës dhe të mazhorancës në mbledhjen e Komisionit të Medias më 29 janar u bënë bashkë në këtë paralajmërim dhe miratuan një shkresë drejtuar këtij Këshilli, ku i kërkohej të ndërpresë procesin e përzgjedhjes me argumentin se po ndiqen procedura jashtëligjore dhe i kërkuan paraqitjen urgjente para komisionit për të dhënë llogari.

Çfarë ndodhi me votimin

Gara për zgjedhjen e drejtorit të ri të Radio Televizionit Shqiptar u mbulua nga akuzat për paligjshmëri, pasi Këshilli Drejtues vendosi me shumicë votash që të skualifikojë 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim. Pas votimit, në garë mbetën vetëm drejtoresha e komanduar pas dorëheqjes së Alfred Pezës, Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza. Të gjithë të tjerët u skualifikuan! Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotësonin, ose jo, kandidatët që po merrnin pjesë. Një tjetër problem ka lidhje me faktin që njëri nga anëtarët nuk ishte fare i pranishëm në mbledhje. Ai e ka votuar nga Vietnami, duke thyer rregullin kyç, atë të votimit të fshehtë.

5 muaj nga dorëheqja e Alfred Pezës, Radio Televizioni Shqiptar ende nuk e ka një drejtues. Që nga largimi i Pezës, drejtoreshë e komanduar e Radio Televizionit Shqiptar u vendos Aurora Polo. Me hapjen e garës, secili nga kandidatët do t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve, por kjo nuk ka ndodhur. Nëse në tre raundet e para, nuk arrihet zgjedhja e tij me shumicë absolute, në raundin e katërt, ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Në rastet kur as kjo nuk arrihet, atëherë Këshilli Drejtues i RTSH-­së do të duhet të shpërndahet, një formulë kjo që përdoret edhe me Parlamentin kur nuk arrin të zgjedhë dot Presidentin./ZËRI

Poll

MOS HUMB