
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Ky i fundit u shpall fajtor për akuzën e fshehjes së pasurisë. Dënimi final ishte 9 muaj burg, që do t'i konvertohet në 80 orë punë në shërbim të publikut. Këtë dënim duhet që ta shlyejë brenda 6 muajsh.
Lulo akuzohej nga SPAK për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë” në formën e kallëzimit të rremë. Sipas SPAK, Lulo kishte bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit. Prokuroria e Posaçme e ka dërguar dhe më parë dosjen e Lulos në Gjykatën e Posaçme, por ajo i ishte kthyer pas për mangësi.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte i pari që iu nënshtrua procesit të vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se pasuria e tij qindramijëra euroshe nuk mund të justifikohej me burime të ligjshme. Ai u shkarkua nga detyra më 23 mars të vitit 2018.
Në maj të vitit 2020, SPAK regjistroi procedim penal ndaj ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo e Bashkim Dedja, si dhe ndaj ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Lulo, 57 vjeç, pati një karrierë të gjatë si jurist, avokat dhe gjyqtar. Ai rezultoi se kishte krijuar një pasuri me vlerë prej 92 milionë lekësh, nga të cilat 75 milionë pretendoi se i kishte krijuar përpara fillimit të detyrës si gjyqtar./ZËRI